Ndryshimet kushtetuese, sfida e vitit në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Ndryshimet kushtetuese, sfida e vitit në Maqedoninë e Veriut

Më: 1 janar 2023 Në ora: 10:24
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani

Sigurimi i votave për të bërë ndryshimet kushtetuese pritet të jetë sfida e këtij viti për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Këto ndryshime janë një prej kritereve për të vazhduar negociatat me Bashkimin Evropian, të cilat u hapën në korrik të vitit të kaluar. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani vlerëson se tani është koha që të fillojnë konsultimet formale me partitë politike dhe deputetët, në mënyrë që të arrihen votat e nevojshme. Ai nuk përjashton mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeverisës, derisa shton se duan bashkëpunuam me ata që janë në mbështetje të rrugës evropiane.

Pasi hapi negociatat me Bashkimin Evropian në verën e vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut tani është në procesin e “screening” pas përfundimit të së cilit duhen bërë ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që të mund të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në.

Ndryshimet nënkuptojnë futjen e komunitetit bullgar në preambulën e kushtetutës, për çka Osmani thotë se të njëjtat nuk janë kontroverse dhe nëse nuk bëhen ato ndryshime, pasojat janë të rënda për shtetin në rrugën drejt BE-së.

Osmani: Pa ndryshimet kushtetuese ndërpriten bisedimet me Bashkimin Evropian 

“Raporti i opozitës karshi këtyre ndryshimeve kushtetuese e kanë vështirësuar këtë proces, prandaj nuk mund të them se kur do të përfundojë ky ndryshim, që kërkon dy të tretat e Kuvendit, shumicë e dy të tretave ose 80 deputetë... Nuk i kemi (80 deputetë), mirëpo duke vlerësuar se, nën një: Ndryshimet nuk janë kontroverse, nuk janë problematike për askënd, askush nuk ka argument të del të thotë pse jemi kundër, për momentin argumenti i opozitës është jemi kundër për shkak se Bullgaria po na kushtëzon dhe na ka futur në një pozitë nënçmuese në raportet tona por jo edhe për substancën e ndryshimeve kushtetuese, për vet përmbajtjen. Dhe e dyta arsye është për shkak se po që se nuk bëjmë ndryshime kushtetuese, ne na ndërpriten bisedimet me Bashkimin Evropian. Nga eksperienca e di që gjëja më e keqe që mund të ndodh në raport me Bashkimin Evropian është të humbni momentin të cilin e keni krijuar me vështirësi”, thotë ministri i Jashtëm.

Osmani pranon se sigurimi i votave në parlament do të jetë sfidë.

Ai thekson se ndryshimet kushtetuese marrin katër deri në gjashtë muaj, derisa shton se ato duhet të bëhen deri në nëntor të këtij viti, kur edhe përfundon procesi i “screening”-ut.

Osmani: Ndryshimet kushtetuese, sfida e vitit 2023 

“Do të jetë sfidë e cila do e karakterizojë 2023-ën, këtë vit, por unë besoj se ashtu si shtet i kemi tejkaluar shumë sfida të tjera që kemi pasur para nesh, dhe kemi dal gjithmonë më të fortë në ato sfida, ashtu do e kalojmë atë... Prandaj, mendoj që koha veç është tani të nisim konsultimet formale institucionale, edhe pse konsultime joformale, konsultime ekzistojnë, partnerët ndërkombëtar janë të angazhuar duke qenë të vetëdijshëm për pasojat e këtij procesi... Me fillimin e këtij viti, duhet veçse t’i formalizojmë konsultimet ddhe ato të jenë të hapura dhe transparente, të nxisim opozitën të del dhe të tregojë pse janë kundër, dhe cila është alternativa që e ofrojnë duke qenë kundër një procesi të tillë, pastaj sigurisht përveç me partitë politike, edhe me deputetët një nga një, për shkak se në fund deputetët janë ata të cilët do të marrin vendimin”, thotë ai.

Osmani thekson se kjo është çështje që tejkalon interesat partiake, andaj shton ka hapësirë për zgjerim për të gjithë ata që janë në mbështetje të rrugës evropiane. 

Osmani: Hapja e kapitujve tejkalon interesat partiake

Është ndryshimi i kushtetutës, është vazhdimi ose hapja e kapitujve që duhet të ndodh këtë vit, është menaxhimi i krizës energjetike, krizës ekonomike, krejt kjo mendoj që krijon një momentum politikë për të zgjeruar bashkëpunimin me të gjitha partitë politike, sepse tani më nuk është ajo gara klasike ndërmjet partive në opozitë dhe pozitë, tani kemi sfida të cilat i tejkalojnë këto agjenda partiake dhe unë mendoj që ka një hapësirë për zgjerim të gjithë atyre të cilët janë në mbështetje të rrugës evropiane, e njerëzit e dinë çka do të thotë rruga evropianë, rruga evropiane do t thotë më shumë stabilitet, më shumë shtet të së drejtës, më shumë standard për njerëzit, më shumë vende pune, qëndrim të njerëzve këtu në vend dhe jo ikje nga vendi”, thotë Osmani.

Krahas kësaj, Osmani thotë se janë të përkushtuar të kultivojnë raportet me Bullgarinë por thekson se ato mbesin ende komplekse.

Osmani: Raportet me Bullgarinë janë komplekse por po krijohet një dinamikë pozitive në raportet zyrtare 

“Raportet me Bullgarinë sigurisht se janë komplekse. Marrëveshja që e arritëm, nënshkrimi i protokollit, marrëveshja për fillimin e bisedimeve e futi procesin në kornizë, nuk do të thotë se i dha përgjigje të gjitha dallimeve dhe çështjeve të cilat shin të hapura por krijuan një plan veprimi për t’i tejkaluar ato. Unë po tentoj të ruaj, kultivoj, mirëmbaj këto raporte për shkak se janë të ngarkuara me shumë emocion, janë të ngarkuara me shumë paragjykime, por edhe janë të ngarkuara me njerëz dhe qendra të cilat nuk janë qëllimmira qofshin brenda dy vendeve tona, qofshin vende te treta të cilat nuk duan raporte të mira midis Maqedonisë së Veriut dhe bullgarisë. Dhe përkundër këtyre sfidave ose në kundërshtim me rrjedhën e lumit do te thoja ne po tentojmë të mirëmbajmë këto raporte. Deri më tani mund të them se po krijohet një dinamikë pozitive në raportet zyrtare edhe pse ka tentime për t’i kidnapuar ato nëpërmjet ekseseve të ndryshme nga të dyja palët, dhe tani është çështja cili narrativë do të dominojë”, ka thënë ai.

E në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përveç raporteve të mira me fqinjët, Maqedonia e Veriut duhet të tregojë rezultate konkrete edhe në luftën kundër korrupsionit.

Për këtë temë, në fund të vitit të kaluar, shtetin maqedon e kanë vizituar edhe një grup ekspertësh amerikan, ku edhe u bë e qartë se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin.

Osmani: Është koha për të dhënë fokus të plotë në luftën kundër korrupsionit

“E para është çështje pozitive që në opinionin tonë publik lufta kundër korrupsionit është që përcakton diskursin publik këtu, e dyta, mendoj që ekzistojnë tani mekanizma serioz prezent që pak dhe e sforcojnë këtë debat, nën një është fillimi i bisedimeve dhe nën dy dialogu strategjik, unë metaforikisht i kam quajtur këto dy instrumente si dy krahë të gërshërëve që duhet ta prenë korrupsionin në vend. Nën një e kemi fillimin e bisedimeve, kapitullin 23, 24 që shton monitorimin, rrit nevojën për transparencë për llogaridhënie, për përgjegjësi, por edhe dialogu strategjik me gjithë mekanizmat që i kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne kemi qenë ata të cilët kemi kërkuar që pjesë e dialogut strategjik të jetë shteti së drejtës, lufta kundër korrupsionit, duke implementuar të gjitha mekanizmat, qoftë listat e zeza, sanksionet ndryshme që i kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne japim mbështetje të plotë këtyre instrumenteve për shkak se ne i kemi kërkuar, nën dy mendojmë që tani është koha për të dhënë fokus të plotë luftën kundër korrupsionit, nuk pretendoj se ne do e zgjidhim si problem tërësisht por me rendësi është të mbahet fokusi i thjerrëzës së opinionit në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe institucionet natyrisht të kryejnë punën e vet”, thotë ministri i Jashtëm në Maqedoninë e Veriut. 

Në anën tjetër, ky vit është i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut për shkak se shteti merr kryesimin e OSBE-së dhe atë të Kartës së Adriatikut(A5).

Osmani thotë se synojnë të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në teren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat