Gjatë vitit 2022 u legalizuan vetëm 32 objekte në Dibër

Maqedonia

Gjatë vitit 2022 u legalizuan vetëm 32 objekte në Dibër

Më: 9 janar 2023 Në ora: 18:16
Foto ilustrim

Procesi i legalizimit në komunën e Dibrës gjatë vitit që kaloi nuk ia arriti të jep dritë jeshile për të gjithë kërkesat për legalizim. Sipas sektorit për urbanizëm pranë komunës Dibër, edhe pse pa legalizuar në fillim të vitit ishin diçka më shumë se 400 kërkesa, gjatë vitit janë legalizuar vetëm 32 objekte, që do të thotë vazhdon të mbeten pa legalizim një numër i madh i objekteve të ndërtuara pa leje.

Në bisedën që patëm me arkitektin e njohur nga sektori për urbanizëm Gazmend Cami, u informuam se numri i përgjithshëm i kërkesave për legalizim në komunën e Dibrës ka qenë mbi 3800. Sektori në fjalë në mënyrë korrekte ka shqyrtuar kërkesat, dhe kur kanë qenë dokumentet e kompletuara tërësisht ka bërë edhe legalizimin. Me një dinamikë të përforcuar procesi i legalizimit ka qenë në tre vitet e para të parapara me afatet ligjore, por gjatë vitit që kaloi sektori për urbanizëm ka legalizuar vetëm një numër të vogël të kërkesave për objektet e ndërtuara pa leje.

“Sektori në fjalë në mënyrë ligjore ka shqyrtuar kërkesat që kanë pasur dokumentacion të kompletuar. Për shkak të problemeve që janë shfaqur sidomos në sferën juridiko pronësore, shumë lëndë kanë ngelur pa me u shqyrtuar meqë nuk janë të kompletuara. Problemet janë kryesisht për shkak të anëtarëve të familjeve të cilët jetojnë në mërgim të cilët nuk kanë bë ndarjen e trashëgimisë”, thotë për KOHA, arkitekti Gazmend Cami.

Ai potencon se patjetër duhet lëndët dhe kërkesat të kompletohen e pastaj jepet dritë jeshile për objektet e ndërtuara pa leje dhe ata të legalizohen. Duke komentuar numrin e vogël të legalizimeve gjatë vitit të kaluar, Cami thotë se ajo ka ndodhur për shkak dokumenteve të pakta që i kanë kompletuar.

Kur bëhet fjalë për legalizimet në komunën e Dibrës qofshin ata si në qytet apo në fshatra, duhet të theksohet fakti se gjatë procesit të legalizimit me një përkrahje të madhe të Bashkimit Evropian u legalizuan shumë objekte të familje sociale. Në këtë drejtim kompensimet materiale i ka paguar Bashkimi Evropian nëpërmjet organizatave të ndryshe dhe sa i takon Dibrës shumë familje sociale e shfrytëzuan këtë të drejtë, veçmas e shfrytëzuan familjet e komunitetit rom që ishin në listën e familjeve sociale.

Sa u takon lëndëve të cilët vazhdojnë të mbeten pa u zgjidhur, në lidhje me legalizimin në sektorin për urbanizëm theksojnë se pa me u kompletuar dokumentet për legalizim ata nuk mund të shqyrtohen. Në këtë drejtim veçmas kërkohet elaborati që kap një vlerë të konsiderueshme por njëherit edhe tejkalimi i problemeve pronësoro- juridike. Gjatë raportimit rreth legalizimeve në komunën e Dibrës gjatë vitit 2022, kryetari i Dibrës Hekuran Duka theksoi se sektori në fjalë ka informuar në kontinuitet familjet që kanë kërkuar legalizim që të kompletojnë dokumentet dhe pritet që në vitin 2023 shumë kërkesa për legalizim që kanë ngelur të kompletohen dhe të merret dritë jeshile për legalizim. (koha.mk)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat