Gjykata i dërgoi viktimës ftesë për të dëshmuar, vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

Maqedonia

Gjykata i dërgoi viktimës ftesë për të dëshmuar, vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

Më: 2 mars 2023 Në ora: 17:46
Foto ilustrim

Gjykata e Tetovës i ka dërguar ftesë për të shkuar dhe për të dëshmuar njërës prej viktimave të zjarrit në Spitalin Modular. Kjo u mësua sot kur në vazhdimin e seancës gjyqësore për këtë rast, një familjar erdhi në sallë dhe kritikoi gjykatën se si është e mundur që viktima të ftohet për të dëshmuar.

“Kjo është joserioze nga juaj”, u shpreh ai.

Gjykimi sot vazhdoi me dëgjimin e dëshmive, eksperti i inxhinierisë elektrike Irfan Shaqiri, gjatë fjalës së tij, pas hetimit që e ka bërë një ditë pas zjarrit, u shpreh se instalimi i rrymës në modular nuk është bërë në përputhje me rregullat e parapara me ligj.

Instalimi, sipas tij, duhet të vendoset në bazë të skicave të cilat janë të përpiluara në standardet europiane dhe që aplikohen edhe nga Oda e Elektricistëve. Shtoi se objekti i modularit është montuar ashtu siç është kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, por detyra e tyre ka qenë vetëm të montohet objekti.

Sa i përket pjesës së rrymës elektrike, sipas ekspertit, nuk ka asnjë elaborat. Tha po ashtu se instalimi elektrik është bërë në bazë të një skeme e cila është për përdorim të brendshëm të spitalit dhe nuk ishte dokument valid.

“Akti i kyçjes së objektit në largpërçuesin është bërë nga dy elektricist të punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës, pra nuk ka qenë elektricist dhe nuk kanë pasur asnjë dokument ose elaborat të nevojshëm për këtë rast. Puna nuk është mbikëqyrur nga elektroinxhinier me licencë nga Oda e Elektricistëve. Vendosja e rrymës elektrike është bërë pa asnjë dokument dhe se çfarë kabllo duhet të vendoset në bazë të rregullave. Rryma është vendosur në bazë të udhëzimeve nga elektricist më të vjetër, por nuk ka pasur as udhëzues dhe skemë se si do të vendoset rryma. Po ashtu edhe kablloja është vendosur pa standarde të parapara”, tha Irfan Shaqiri, eksperti i inxhinierisë elektrike.

Në seancën e sotme foli edhe dëshmitarja Olgica Delevska, e cila tha se natën kritike kur ka shpërthyer zjarri ka qenë e pranishme me burrin e saj në spitalin modular.

“Kemi dëgjuar njerëzit duke thërritur për ndihmë, njerëzit kanë qenë në panik, shpërtheu zjarri dhe kemi filluar çdokush që të gjendet dhe të shpëtojë në mënyrën e tij. Janë thyer dritaret dhe kam kërcyer nga dritarja duke dalë jashtë. Nuk kam vërejtur se ka aparat kundër zjarrit”, pohoi Olgica Delevska, dëshmitare.

Pala mbrojtëse e të akuzuarve, Florin Besimit, Artan Etemit, Boban Vuçevski dhe Spitalittë Tetovës si person juridik, filloi me leximin e dëshmive dhe më pas do të vazhdohet edhe me thirrjen e dëshmitarëve. Gjatë seancës, nuk u pranua kërkesa e palës mbrojtëse që të dëshmojë një person nga krim-teknika e forenzikës së Gjermanisë. Seanca e radhës do të mbahet më 21 mars.

Në zjarrin që kaploi Spitalin Modular në Tetovë më 8 shtator të vitit 2021 jetën e humbën 14 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat