Talat Xhaferi politikani me pagën më të madhe në Maqedoni: Këto janë pagat e zyrtarëve me rritjen e re prej 78 përqind

Maqedonia

Talat Xhaferi politikani me pagën më të madhe në Maqedoni: Këto janë pagat e zyrtarëve me rritjen e re prej 78 përqind

Më: 2 maj 2023 Në ora: 10:39
Foto ilustrim

Këto ditë funksionarët shtetërorë në Maqedoninë e Veriut duhet t’i marrin pagat me 78 përqind rritje.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, funksionarët do të marrin rroga për një mijë euro më shumë, ndërsa rritje më të madhe do të kenë presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, si dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Sipas përllogaritjeve të reja të pagave, kryetari i Kuvendit do të jetë politikani me pagën më të madhe në vend e cila do të jetë 166 mijë denarë (2.698 euro). 1500 denarë (25 euro) më pak do të merr presidenti i shtetit, ndërsa paga mujore e kryeministrit do të jetë 156 mijë denarë (2.535 euro).

Paga e zv.kryeministrave me rritjen e re do të jetë nga 122 mijë denarë (1950 euro) deri në 129 mijë denarë (2.096).

Por për pagat e funksionarëve dje (1 Maji – Dita e punëtorëve), nuk foli askush prej zyrtarëve. Në urimet e tyre për 1 Majin, ata fokusin e vendosën te pagat e punëtorëve.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski shkroi se paga minimale e punëtorëve nga viti 2016 është rritur për 100 përqind.

Megjithatë një pjesë e sindikatave theksuan se nuk është njerëzore që në kushte kur punëtorët e thjeshtë mezi e kalojnë muajin, pagat e funksionarëve të rriten në këtë mënyrë.

Ndryshe, paga minimale në Maqedoninë e Veriut që nga muaji mars 2023 arrin në 20 mijë denarë (325 euro).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat