Pranohen pjesërisht kërkesat e personave me nevoja të posaçme në RMV

Maqedonia

Pranohen pjesërisht kërkesat e personave me nevoja të posaçme në RMV

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 17:12
Foto nga vendi i ngjarjes

Personat me nevoja të posaçme do të lirohen tërësisht nga participimi për shërbimet shëndetësore, do të kenë rritje të shtesave prej 78% ndërsa do të marrin ndihmën e asistentëve personalë për 160 orë në muaj dhe jo për 80 orë siç ishte deri më tani. Propozim ndryshimet ligjore tashmë janë në procedurë, të iniciuara nga një grup deputetësh. Nisma erdhi pas kërkesave të organizatës joqeveritare “Ndryshojmë”.

Kërkuam që ligji të plotësohet sepse ligji ka lëshime. Të gjitha kërkesat janë dorëzuar deri te të gjitha komisionet politike ku përfshihet arsimi, mbrojtja shëndetësore dhe besoj se ky është një fillim që të gjithë do e bëjmë. Nuk mundemi brenda natës t’i bëjmë ndryshimet por besojmë se filloi abazhuri të lëvizë për të mirën tonë”, tha Suaret Alishan, Koalicioni “Ndryshojmë”.

Deputeti Arben Ziberi nuk sheh pengesa për miratimin e ndryshimeve meqë nisma është bërë në koordinim me një sërë institucionesh.

Besoj se do gjejmë përkrahjen e të gjitha grupeve parlamentare ku do të miratohet një ligj i tillë. Besoj se së shpejti ky ligj do të hyjë në fuqi dhe do të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ky ligj është bërë edhe në koordinim me Fondin Shëndetësor dhe Ministrinë e Punës Sociale dhe besoj se për kohë të shpejtë do kalojë në seancë plenare”, u shpreh Arben Ziberi, Kryetar i Komisionit për Shëndetësi.

Personat me nevoja të posaçme kanë edhe shumë kërkesa të tjera sa iu përket të drejtave të tyre. Koalicioni “Ndryshojmë” paralajmëron protesta kundër miratimit të një strategjie e cila është iniciuar nga Qeveria, për të cilën shoqatat thonë se nuk janë konsultuar aspak, nuk përfaqësojnë të drejtat e kësaj kategorie të qytetarëve por interesat e disa subjekteve të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat