Bujar Osmani me disa takime në Londër: Rajon i qëndrueshëm dhe prosperues në fokus të Mbretërisë së Bashkuar

Maqedonia

Bujar Osmani me disa takime në Londër: Rajon i qëndrueshëm dhe prosperues në fokus të Mbretërisë së Bashkuar

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 16:25
Bujar Osmani

Takimet me Alicia Kearns, Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e ulët të Parlamentit Britanik, me Martin Vickers, Kryetarin e Grupit për Bashkëpunim Parlamentar me Maqedoninë e Veriut, njëherësh i Dërguar për Tregti për Ballkanin Perëndimor, me Baronesata Barker, Nënkryetaren e Grupit dhe Deputeten Wendy Morton, ish Ministren për Evropën, ishin në agjendën e sotme të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në Londër.

Në këto takime, Osmani falënderoi për mbështetjen e sinqertë dhe të vazhdueshme të Britanisë, e cila i pasqyron marrëdhëniet e zhvilluara dhe të partneritetit mes dy vendeve, të cilat këtë vit shënojnë 30 vjetorin e vendosjes së tyre.

“E vlerësojmë lartë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e demokracisë parlamentare në Maqedoninë e Veriut, në fushat kyçe si sundimi i ligjit, ndërtimi i kapaciteteve në gjyqësor dhe sektori i sigurisë, lufta kundër korrupsionit, çështjet gjinore”, tha Osmai duke spikatur se vendi është i përkushtuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim të plotë në BE.

Osmani ka informuar për procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, duke shpresuar se ai do të përfundojë deri në fund të vitit, me çka vendi do t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në BE.

Në takimet u shkëmbyen mendime edhe për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, duke potencuar se fokusi i Mbretërisë së Bashkuar në rajon është veçanërisht i rëndësishëm, me synimin për një Ballkan të qëndrueshëm dhe prosperues.

Gjatë ditës, Osmani realizoi takim me Nick Catsaras, Drejtor i Përgjithshëm për Rusinë dhe Ukrainën pranë Sekretariatit të Sigurisë Nacionale në Qeverinë britanike, ku u diskutua për rolin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në ruajtjen e arkitekturës së rrënuar evropiane të sigurisë. Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të Organizatës, informoi për aktivitetet e planifikuara, si dhe për sfidat aktuale që kërkojnë zgjidhje të përbashkët.

Osmani, do ta mbyllë ditën me një takim me të Dërguarin Special të Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat