​Taravari: Maqedonia e Veriut po kalon një prej periudhave më të vështira

Maqedonia

​Taravari: Maqedonia e Veriut po kalon një prej periudhave më të vështira

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 13:45
Arben Taravari

Maqedonia e Veriut po kalon një prej periudhave më të vështira që prej vitit 2001, thotë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai shpreson që opozita maqedonase do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, derisa thekson se partitë shqiptare atje janë të gatshme për kompromise vetëm që të mos bllokohet rruga evropiane e shtetit.

Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut rrezikon të bllokohet nëse komuniteti bullgar nuk përfshihet në preambulën e kushtetutës së vendit, kusht ky për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian, pas procesit të skriningut që përfundon në vjeshtë.

Taravari: Maqedonia e Veriut ndodhet në një prej periudhave më të vështira

“Në Maqedoni është një kohë relativisht e vështirë me shumë mjegulla para nesh, me plot paqartësi, mund të them se një prej periudhave më të vështira të shtetit pas pavarësimit, nëse e tërheqim periudhën e vitit 2001 kur ishte lufta. Ka plot paqartësi sepse është e vërtetë që shtetet kalojnë udhëkryqe të caktuara, periudha të rëndësishme për shtetin, kështu mund të them që Maqedonia (e Veriut) është në udhëkryqin e fundit pas kyçjes në NATO, tash jemi para vendimeve shumë të rëndësishme, a do të vazhdojë Maqedonia (e Veriut) me negociatat me Bashkimin Evropian”, thotë në një intervistë për Kp, Arben Taravari.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të fillojë debatin për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht, derisa koalicioni qeverisës është në kërkim të votave për të arritur numrin 80 sa kërkohet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Është partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE të cilës po i kërkohen votat ndërkohë që ajo ka shfaqur kundërshtimet e saj për këtë kornizë.

Taravari: Opozita maqedonase insiston që ndryshimet kushtetuese nuk duhet të ndodhin tani

Këtu është partia maqedonase VMRO-DPMNE e cila është opozita maqedonase, të cilët me këmbëngulësi insistojnë që nuk duhet të ndodhin tani ndryshimet kushtetuese, duhet të ndryshohet korniza me të cilën është sjell marrëveshja në mes të Maqedonisë dhe Bullgarisë, me ndërmjetësimin e Francës dhe shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, kurse sinjalet e Bashkimit Evropian është e padiskutueshme, është e pamundshme të ndryshohet kjo kornizë, dhe nëse shkohet edhe në zgjedhje të parakohshme atëherë përsëri kushdo qoftë të fiton prej maqedonase përsëri do të jetë problem të krijohet numri 80, kurse gjasat janë reale nëse ndodh ndryshimi i pushtetit ne Maqedoni, partia opozitare të kërkojë revidimin e marrëveshjes me Bullgarinë dhe kjo mund të zgjasë me siguri edhe një dekadë apo më shumë që do të ishte një hendikep i madh për Maqedoninë nëse ndodh që Shqipëria të vazhdojë negociatat (ndaras nga Maqedonia e Veriut)”, vijon Tavari.

Taravari, i cili drejton partinë që sivjet iu bashkua qeverisë së udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, thotë se në organet e partisë nuk e kanë diskutuar mundësinë e daljes nga qeveria.

Për dallim nga ministrat e Bashkimit Demokratik për Intergrim, të cilët dorëzuan dorëheqjet në qeveri, pasi opozita maqedonase e kushtëzoi votën me këtë, Taravari vlerëson se një veprim i tillë nuk është i duhur.

Taravari: Veprimi i BDI-së për dorëheqje nga qeveria ishte joserioz

“Disa ministra të BDI-së ofruan të tërhiqen prej posteve ministrore nëse ndodhin ndryshimet kushtetuese, mendoj se nuk kishte nevojë sepse biem në lojën e kushtëzimeve që nuk është e shëndetshme dhe nuk është e mirë për shoqërinë në përgjithësi, nëse dikush kushtëzon një parti të hyjë apo të dalë, natyrisht të gjitha partitë jemi të gatshëm çfarëdo qoftë kompromisi të bëhet vetëm që të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian dhe mendoj se veprimi i ministrave të BDI-së ishte pak si joserioze për këtë periudhë shumë sensitive për shtetin në të cilin jetojmë… As që e kemi diskutuar (largimin nga qeveria) në organet partiake, pasi që askush nuk ka thënë që kusht prej dikujt është që Aleanca për Shqiptarët të mos jetë në Qeveri, nëse ka kusht të tillë të vendosur padyshim që ne e kishim pranuar, aspak nuk është me rëndësi a do të jemi pjesë e Qeverisë apo do të jemi jashtë Qeverisë, mendoj që nuk ka dilema të asnjë parti politike shqiptare në Maqedoni, nëse dikush e vendosë këtë kusht në rregull jemi, ne jemi të parët që jemi të gatshëm të tërhiqemi por nuk ka ekzistuar, nuk ka kushtëzuar dikush për të vendosur një kusht të tillë për t’u larguar Aleanca ose BDI, ose për të hyrë një parti tjetër. Ne jemi të gatshëm të ulemi të negociojmë me katër parti politike më të mëdha në Maqedoni, dy shqiptare, dy maqedonase, ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët vetëm për të tejkaluar këtë ngërç politik në të cilin gjendet Republika e Maqedonisë së Veriut”, thotë ai.

Kreu i Aleancës për Shqiptarë thotë se është optimist që të gjitha partitë në parlament do t’i votojnë ndryshimet kushtuese dhe pas kësaj vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Taravari: Të gjitha partitë t’i votojnë ndryshimet kushtetuese

“Oficialisht nuk ka negociata Qeveri-opozitë, të gjitha partitë politike shqiptare padyshim e duan dhe e kanë pretendim fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Por kanale komunikimi ka realisht, ka ndërmjet të gjitha partive politike ndërmjet vete, këtu fasiliton edhe faktori ndërkombëtar. Ende jam optimist se ka gjasa reale që të gjitha partitë politike, jo vetëm pjesë të deputetëve të një partie politike opozitare, por komplet VMRO-DPMNE në moment të fundit me kushte të caktuara eventualisht të vendosë t’i votojnë ndryshimet kushtetuese… 05 Ekzistojnë gjasat që disa deputetë të VMRO-DPMNE mund të votojnë ndryshe prej asaj që e ka qëndrim partia politike, por ne shpresojmë që edhe VMRO-DPMNE në moment të fundit ta ndërrojë qëndrimin dhe të shkohet në ndryshimet kushtetuese krejt partitë së bashku e pastaj të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, shton ai.

Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe një prej kërkesave të kësaj të fundit ka qenë ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e komunitetit bullgar si komunitet i veçantë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Në kushtetutë aktualisht janë shqiptarët, maqedonasit, vllehët, romët, boshnjakët, turqit e serbët.

Por për ndryshime kushtetuese nevojiten 80 nga 120 vota të deputetëve.

Aktualisht shumica parlamentare, me të gjitha partitë shqiptare të tjera, numërojnë 74 vota derisa mungojnë edhe gjashtë tjera për të bërë ndryshimet kushtetuese, vota të cilat po kërkohen të opozita maqedonase, VMRO-DPMNE.

Vendi i ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian një vit më parë, ndërsa në nëntor të këtij viti përfundon procesi i skriningut dhe korniza negociuese nënkupton që në këtë fazë të bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat