Kërcënimi serb, në Maqedoninë e Veriut shihet si hapje e konflikteve të vjetra

Maqedonia

Kërcënimi serb, në Maqedoninë e Veriut shihet si hapje e konflikteve të vjetra

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 22:48
Foto ilustrim

Një deklaratë e ministrit të mbrojtjes së Serbisë, Milos Vuçeviq, ka nxitur një debat të ashpër në gjithë Ballkanin.

Vuçeviq, në një emision televiziv në Serbi lëshoi kërcënim serioz për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, që ndërlidhet me njohjen e Kosovës si shtet nga këto dy vende.

“Ju keni bërë një gabim dhe ai gabim do të ju godas në kokë, sikurse Ukrainën dhe do ta godas çdokënd që promovon Kosovën dhe Metohinë si një shtet të pavarur. Ju keni hapur kutinë e Pandorës. Udhëheqësit tuaj thonë se Kosova është sui generis, se është një rast special, mirëpo këto janë qesharake”, ka deklaruar Milos Vuceviq, Ministër i Mbrojtjes në Serbi.

I menjëhershëm ishte reagimi i presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, i cili këtë deklaratë e konsideroi si tentim direkt për ndërhyrje në krijimin e qeverisë së shtetit të tij.

E, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovacevski, të hënën tentoi ta qetësoj disi situatën duke e postuar nga Athina një fotografi në Facebook me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Këtë mbrëmje bisedova me Presidentin serb Vuçiq në Athinë. Ai më siguroi mua si një përfaqësues i Serbisë, se ai e konsideron popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas si jashtëzakonisht miqësor. Nëse ndonjë qytetar është ofenduar nga ndonjë mesazh i shtetit serb, ai personalisht do të kërkoj falje”, ka deklaruar Dimitar Kovacevski, Kryeministër i Maqedonisë.

Në Maqedoni të Veriut vlerësojnë se deklarata e Vuçeviq është vetëm një nismë e rihapjes së konflikteve të vjetra.

“Realisht kjo deklaratë ia heq pluhurin një konflikti mes Maqedonisë dhe Serbisë, ku Kosova këtu shërben si mollë sherri. Pasi që e dijmë që pala tjetër e ka një histori paksa të gjatë me diplomaci dhe miqësi karshi shtetit serb, krahas me Kosovën, kurse pala shqiptare çdoherë ka qenë më afër Kosovës dhe Shqipërisë. Unë mendoj që kjo ja heq pluhurin këtij problemi që e ringjallë dhe do të pasojnë edhe tensione të mëtejshme”, ka deklaruar Meriton Tusha, analist.

Tusha thekson se këtu ndikoi edhe vizita e fundit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë.

Kurse në Kosovë, kërcënimi i Vuçeviqit nuk vlerësohet shumë serioz.

“Serbia tash i ka protestat e mëdhaja kundër Presidentit edhe regjimit të tij. Janë paralajmëruar edhe zgjedhjet që do të mbahen së shpejti, brenda 6-7 muajve, ashtu deklaroi Vuçiqi, kështu që kjo retorika është më shumë me e përgatitë ndoshta terrenin për disa vendime të vështira, sepse i ka edhe presionet e mëdha për njohjen e Kosovës ose me e nënshkru marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën”, ka deklaruar Shkëlzen Maliqi, publicist.

Për deklaratën e ministrit serb të mbrojtjes reagoi edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ndërsa Qeveria e Kosovës akoma nuk ka bërë ndonjë reagim për këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat