Osmani nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së: Vetëm me lidership të përgjegjshëm dhe zgjidhje të përbashkëta do të mund ta ruajmë funksionalitetin e OSBE-së

Maqedonia

Osmani nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së: Vetëm me lidership të përgjegjshëm dhe zgjidhje të përbashkëta do të mund ta ruajmë funksionalitetin e OSBE-së

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 20:31
Bujar Osmani

Me kërkesë të Kryesuesit të OSBE-së dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Vjenë është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, me pjesëmarrje të shtuar të nivelit të lartë. Duke pasur parasysh sfidat kritike me të cilat përballet Organizata në dritën e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, ministrat e Punëve të Jashtme dhe përfaqësues të tjerë të lartë të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerët e bashkëpunimit shkëmbyen mendime mbi çështjet dhe sfidat aktuale.

Në fokus të diskutimeve ishin çështjet me rëndësi vendimtare për funksionalitetin e OSBE-së: nevoja e miratimit të buxhetit, caktimi i strukturave menaxhuese dhe zgjedhja e Kryesuesit të Organizatës në vitin 2024.

“Edhe përkundër asaj që ndikimi i agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës po shkakton trazira tektonike në rajonin më të gjerë të OSBE-së, Organizata ka qenë në gjendje të demonstrojë fleksibilitet dhe të përshtatet me rrethanat e dhëna, si dhe të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje njerëzve.

Prandaj, jemi të detyruar të realizojmë, mbështesim dhe sigurojmë funksionalitet të pandërprerë të OSBE-së. Vetëm me udhëheqje të përgjegjshme dhe zgjidhje të përbashkëta do të jemi në gjendje t’i mundësojmë OSBE-së të vazhdojë zbatimin efektiv të mandatit të besuar” theksoi Kryesuesi Osmani.

Gjithashtu, ai i prezantoi propozime konkrete të kryesimit, si zgjidhje të mundshme për tejkalimin e sfidave.

“Kontributi dhe përfshirja e Organizatës sonë në proceset e paqes dhe stabilitetit nuk duhet të jetë kurrë viktimë e interpretimeve të këqija dhe politizimit shkurtpamës. Nocioni i konsensusit duhet të jetë forca jonë, jo dobësia jonë”, theksoi Osmani, duke u bërë thirrje edhe një herë ministrave dhe zyrtarëve të lartë që të demonstrojnë vullnet të fortë politik dhe konstruktivitet në momentin kompleks në të cilin ndodhet Organizata.

Si Kryesues, ne mbetemi të përkushtuar ndaj OSBE-së dhe do të vazhdojmë të punojmë në gjetjen e zgjidhjeve në mbështetje të funksionalitetit të organizatës, përfundoi Kryesuesi Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat