Xhaferi: Pajtimi e bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit

Maqedonia

Xhaferi: Pajtimi e bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 15:14
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi deklaroi se pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit.

Kështu u shpreh ai në fjalimin e tij në konferencën e lidershipit ballkanik me temën "Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE- sfidat dhe perspektivat", e cila po mbahet në Shkup.

Në sesionin "Perspektivat për paqe dhe pajtim në Ballkanin Perëndimor", Xhaferi theksoi se lufta në Ukrainë ka hapur derën për çrregullime në pjesë të ndryshme të botës.

Xhaferi: Lufta në Ukrainë sikur e hapi derën për çrregullime në pjesë të ndryshme të botës

"Lufta në Ukrainë sikur e hapi derën për çrregullime në pjesë të ndryshme të botës dhe për fat të keq, jeta njerëzore kurrë nuk ka qenë më pak e çmuar se në këtë kohë. Edhe pse e dimë se njeriu, me të gjitha virtytet dhe mangësitë e veta, është qenia më e përkryer, e cila në pjesën më të madhe të kohës e shfrytëzon në mënyrë të arsyeshme atë me të cilën është bekuar në jetë. Mirëpo, për fat të keq, po futemi në një periudhë kur arsyeja e shëndoshë mbetet dëshmitar memec i çnjerëzimit, kur mbisundon veprimi johuman mbi qeniet tjera të gjalla", tha ai në këtë konferencë.

Sipas tij, lajmet e rreme dhe të trilluara nxisin veprime të tmerrshme dhe në favor të prapaskenave të errëta.

Xhaferi: Ballkani Perëndimor i kujton sfidat me të cilat është përballur

"Ne në Ballkanin Perëndimor i kujtojmë sfidat me të cilat jemi përballur dhe akoma vazhdojmë të përballemi prej dite në ditë, dhe prandaj konferencat e këtilla ku i bashkërendisim aktivitetet dhe synimet tona të përbashkëta janë jashtëzakonisht të dobishme. Krahas bashkëpunimeve në çështjet strategjike, bashkëpunimi i ndërsjellë parlamentar është edhe një gur përforcues në sigurimin e mbijetimit dhe përparimit inkluziv të rajonit me përkushtim ndaj vlerave kryesore evropiane të demokracisë, sundimit të drejtës dhe të drejtave fondamentale. Unioni inter-parlamentar me të drejtë konkludon se “deputetët kanë kuptim unik të diversitetit ndër njerëzit dhe janë në pozitë më të mirë për t’i artikuluar aspiratat e njerëzve dhe të shpjegojnë se çfarë është me të vërtetë me rëndësi për to", tha ai.

Kryeparlamentari Xhaferi theksoi se pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit.

Xhaferi: Pajtimi e bashkëpunimi - emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit

"Pajtimi dhe bashkëpunimi është emëruesi i përbashkët i suksesit të transformimit të rajonit. Janë faktori fondamental për partnerët tanë dhe për ne si vende në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ardhmëria e gjithë rajonit është pikërisht në to. Dhe, kjo Konferencë është provë se ne si rajon, vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe afrimi ndërmjet popujve tanë, shteteve tona dhe tërë rajonit me Bashkimin Evropian. Kështu krijojmë hapësirë të bollshme për zhvillimin dhe avancimin e kësaj pjese të kontinentit duke u koordinuar për projekte të përbashkëta të filluara në kuadër të Procesit të Berlinit, Qëllimeve të qëndrueshme të Kombeve të Bashkuara dhe politikave të Unionit", përfundoi ai.

Kryekuvendari Talat Xhaferi theksoi se Maqedonia e Veriut po punon në drejtim të arritjes së përcaktimeve strategjike dhe anëtarësimit të plotfuqishëm në BE dhe NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat