BDI: Vendosja e kryqit në Kodrën e Diellit, marrëveshje mes OBRM-PDUKM-së dhe Besës

Maqedonia

BDI: Vendosja e kryqit në Kodrën e Diellit, marrëveshje mes OBRM-PDUKM-së dhe Besës

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 19:09
Foto ilustrim

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj vendosjes së kryqit të gjatë 15 metra në Qendrën Turistike “Kodra e Diellit” dhe kërkon nga Komuna e Tetovës përgjegjësi për lejimin e këtij skandali.

“A është vendosja e këtij kryqi gjë paraprakisht e dakorduar mes Besës së Bilall Kasamit dhe OBRM-PDUKM-së, një favor i mbajtur fshehtë nga qytetarët për ndihmën që OBRM-PDUKM-ja i ofroi Besës në zgjedhjet lokale për komunën e Tetovës?

Mosreagimi i komunës dhe tendenca që gjithë kjo të kalojë në heshtje flet shumë për një marrëveshje mes OBRM-PDUKM-së dhe Besës. Por, nuk heshtin qytetarët e Tetovës, nuk do të heshtim as ne kundër këtij pazari skandaloz.

Grupi i këshilltarëve të BDI-së në komunën e Tetovës tashmë kanë kërkuar sqarim në lidhje me këtë çështje nga ana e kreut të komunës së Tetovës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga BDI, vendosjen e kryqit e cilësojnë si një provokim të rëndë që dëmton vlerat e kohezionit social dhe kërkon nga institucionet e vendit të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme institucionale për largimin e tij nga Kodra e Diellit dhe ndëshkimin e atyre që lejuan një gjë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat