Vendimi për rastin “Llaskarcë”, revolton familjarët e viktimave

Maqedonia

Vendimi për rastin “Llaskarcë”, revolton familjarët e viktimave

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 21:18
Foto ilustrim

Vendimi për avancimin e gjykatëses së lëndës për “Llaskarcën”, që mund të rrezikojë kthimin e lëndës në rigjykim, ka revoltuar familjarët e viktimave të 13 shkurtit të vitit 2019. Sonja Avramovska, e cila humbi të birin në këtë aksident thotë se vetëm në vendin tonë shpërblehet gjykatësit që nuk kryejnë lëndët në kohë dhe dërgohen në vende më të mira të punës.

“Gjykatësja shkon në gjykatë të aplet sipas meritave me siguri, për rastet që nuk i ka zgjidh. Para vetë përfundimit para vetë dhënies së fjalëve përfundimtare që të paktën të sillet një vendim i shkallës parë, që të paktën për ne të ketë pak shpresa për drejtësi, e në vend të kësaj rasti do kthehet në rigjykim! Kështu është gjyqësia jonë çtë bëjmë. Tek ne ngjall kjo ngjall shumë dyshime se ka një prapavijë politike një dimension politik dhe asgjë tjetër, apo me qëllim e vonojnë që pas ndryshimeve të kodit Penal të bëhen të vjetra disa lëndë dhe kështu të fshihen përgjegjësit e këtij rasti. Unë shumë herë bashkë me burrin tim kemi thënë që ky rast duhet të zgjidhet tek krimi i organizuar, sepse nuk hiqet dot sipas atij neni të kodit Penal sikur kjo është një aksident i thjesht. Këtu janë të akuzuar gjashtë njerëz dhe rasti duhet të trajtohet si vrasje, por të ju them të drejtën po humbim shpresat nga sistemi i drejtësisë, e dimë do nis nga fillimi por do zgjas pafund sepse kushdo qoftë gjykatës do i duhet kohë për ta shikuar lëndën. Kjo për ne është zhgënjim i madh një gjë e tillë të ndodh para vet përfundimit”, u shpreh Sonja Avramovska familjare.

Edhe familjari tjetër Hasan Osmani shprehet i zhgënjyer. Kërkon që ky rast, i cili është zvarritur shumë kohë, të marrë një epilog.

“Mbrëmë kur e kuptova se do ndryshohet gjykatësja do shkoj në apelacion i zhgënjyem shumë, sepse erdhi në fund ma pas katër viteve, sepse një vit e vonoi super ekspertiza një vit, dhe pasi erdhi edhe kjo tash bëjnë tjetër dallavere. Nuk e mendonim se do na bëhet edhe kjo gjë vetëm e vetëm ta vjetërsojnë lëndën, pra dikujt i konvenon të vonohet puna sa më shumjë. Tash e katër vite unë kam ndjek çdo seancë dhe e pash që nuk do ketë fund kjo gjë. Një fjalë turke thotë më mirë një herë të vdesësh se sa përdit, por neve na mbysin për dit prej katër vitesh kur shohim se çka ndodh aty brenda”, tha Hasan Osmani, familjar.

Familjarët shprehen se, nëse vjen deri tek vendimi për rigjykim të lëndës, ata revoltën e tyre do e shprehin përmes protestave.

“Ne do angazhohemi të protestojmë, por sa do ketë efekt nuk e dimë, sepse kemi humb besimin në gjykata. E shihni në lajme sa është besimi në gjykatat e Maqedonisë, tre për qind”, tha Hasan Osmani, familjar.

Të akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Llaskarcës, që ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe u plagosën rëndë mbi 30, janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs”, personi përgjegjës për transportin në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski që akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërkaq për të njëjtën vepër akuzohen edhe tre punonjësit e stacionit për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat