​Oda: Prodhuesit në Maqedoni fitojnë 3% a tregtarët 30%

Maqedonia

​Oda: Prodhuesit në Maqedoni fitojnë 3% a tregtarët 30%

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 09:23
Foto ilustrim

Përderisa prodhuesit dhe tregtarët në Maqedoni të Veriut, kritikohen mes veti se kush po fiton më shumë e kush më pak në industrinë ushqimore, qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmime të shtrenjta për produktet elementare.

Odat Ekonomike thonë se vërejtja kryesore që është bërë në propozim Ligjin për tregti jo korrekte është që prodhuesit kanë shpenzime marramendëse dhe mezi arrijnë të fitojnë 3%, kurse tregtarët që marrin nga bujqit prodhimet dhe i furnizojnë marketet fitojnë nga 30%.

Ky hendek i thellë pritet të normalizohet një herë e mirë me ligj, në normën e fitimit me 10% për secilin nga aktorë në zinxhirin e tregut të lirë.

“Fitimi neto i të gjithë prodhuesve paraqet 2-3-4% në faturën përfundimtare në këto vitet e fundit. Por, për ti plasuar këto produkte, flas për bujqit dhe prodhuesit e ushqimoreve, nëpër markete ju kërkojnë 25-30-35% nga shuma totale e të hyrave. Vlerësojmë se kjo është një e padrejtë e madhe! Jo vetëm që është padrejtësi, por i shtynë prodhuesit e kufirin e ekzistencës, mbijetesës, ndërsa tregtarët marrin kajmakun”, deklaroi Goran Georgievski, kryetar i Odës së Agrobiznesit.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore thonë se Qeveria në vend që të kontrolloj tregun me ligj, në plan afatgjatë të stimuloj prodhuesit vendor. Kryetari i kësaj Ode, Mendi Qyra tha se shteti nuk duhet të margjinalizoj tregun me ngrirje të çmimeve të shitjes së produkteve finale derisa çmimi i furnizimeve të lëndëve të para është i pakufizuar në treg dhe nganjëherë blihet më shtrenjtë nga jashtë.

“Në lidhje me inflacionin, duhet të kthehemi edhe te norma e interesit që është rritur kohëve të fundit nga 3 në 6 %, e cila në mënyrë automatike bënë rritjen e kostos së prodhimit që ajo rrit çmimin në treg. Kjo rritje në treg bënë edhe rritje të inflacionit. Normalisht që pagat në Maqedoni janë duke u rritur dhe duhet të rriten akoma dhe kjo do të ndikoj në konsum më të lartë, e cila ndikon në normën e inflacionit”, u shpreh Mendi Qyra, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Për të balancuar tregun Ministria e Ekonomisë ka hartuar një propozim ligj për parandalimin e tregtisë jo korrekte, por i njëjti akoma nuk është dorëzuar si draft final në Qeveri. Ky ligj pritet të jetë vazhdimësi e masave për ngrirje të çmimeve, të cilat në mënyrë autonome kanë rregulluar tregun me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore për periudha të caktuara.

Deri sa në kohë të krizës energjetike dhe financiare fryrjen e rrejshme të çmimeve në treg nga firmat private e kanë frenuar me vendime qeveritare, tani pritet që kjo të rregullohet me ligj, në mënyrë që norma e fitimit mos të kaloj 10%, thonë autoritetet. Sesa do të arrihet kjo pritet të shihet nga 1 janari i vitit 2024. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat