Pakënaqësi për çmimin e duhanit në Maqedoni

Maqedonia

Pakënaqësi për çmimin e duhanit në Maqedoni

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 19:09
Ilustrim

Një pjesë e kultivuesve t kërkojnë që rritja të jetë minimalisht 20 për qind apo 6 euro, ndërsa të tjerët kërkojnë edhe 10 euro për kilogram duhan. Kërkesa bazohet në inflacionin 20 për qind vitin e kaluar dhe rritje të kostove të jetesës dhe prodhimit.

Përgjysmim i prodhimtarisë, çmime më të ulëta të grumbullimit nga ana e tregtarëve karshi prodhuesve, rrezik nga ulja e prodhimtarisë në vitin e ardhshëm. Këto janë vetëm disa nga problemet që prekin prodhimtarinë e këtij viti të duhani në vend. Bile kompanitë grumbulluese kanë kumtuar se nuk parashikojnë të rrisin çmimin grumbullues për asnjë denar më tepër se pesë euro për duhanin e cilësisë më të mirë. Kultivuesit kërkojnë që rritja të jetë minimalisht 20 për qind për klasë ku aktualisht çmimet aktuale janë 300 denarë për klasën e parë, 240 denarë për klasën e dytë dhe 180 denarë për klasën e tretë.

Një kërkesë e tillë e bazojnë në faktin se kemi inflacion 20 për qind vitin e kaluar dhe rritje të kostove të jetesës dhe prodhimit. Andaj kanë nevojë për një vlerësim realist për të mbijetuar dhe për të qenë në gjendje të planifikojnë rendimentet e ardhshme, që kështu po vendoset në pikëpyetje.

Prodhimi i këtij viti është përgjysmuar. Sipas kontratave, blerësit kërkojnë 26 milionë kilogramë, kurse rendimentet e këtij viti nuk do të kalojnë 13 milionë kilogramë. “Jemi të pakënaqur dhe të revoltuar sepse blerësit nuk duan ta dëgjojnë kërkesën tonë dhe nuk kanë dëshirë të rrisin çmimet e blerjes së duhanit. Siç e dini, rendimentet janë përgjysmuar në krahasim me vitin e kaluar, dhe me atë sasi të vogël ne nuk ushqehemi dot, e lëre më të fillojmë mbjelljen e duhanit për sezonin e ardhshëm në pranverë. Do ta vendosim veten në një situatë që në pranverë të mos ketë kush të mbjellë duhan dhe duhani të zhduket nga arat tona”, thekson Mende Stomnaroski, kryetar i Lidhjes së shoqatave të duhanit.

Duhani është i cilësisë së lartë, por si sasi është e vogël si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike, kur mbillej ishte me shi, me baltë, kur rritej ishte e thatë. Arsye tjetër është se nuk ka kush ta prodhojë, sepse nuk është tërheqëse dhe fitimprurëse për gjeneratat e reja, konstaton Stomnaroski.

Kundër këtyre kërkesave të Lidhjes së Shoqatave , dolën nga Rrjeti Kombëtar Bujqësor i sapoformuar, i cili nuk njeh legjitimitetin e tyre. Ata kërkojnë që çmimi vjetor i blerjes në asnjë rast të mos jetë nën 10 euro për kilogram duhan dhe bëjnë thirrje për bojkotimin e blerjes , i cili ligjërisht duhet të fillojë më së voni deri më 15 dhjetor.

Në vitin e kaluar për herë të parë duhani ka arritur çmim rekord prej gati 290 denarë/kg, që paraqet rritje prej plus 44 për qind në krahasim me korrjen e vitit 2021 kur çmimi ishte 200.44 denarë.

Sivjet me kompanitë blerëse janë lidhur 30.621 kontrata për 26.504 ton duhan me 17.587 ekonomi bujqësore. Kultivuesit e duhanit që në pranverë kërkuan rritje të çmimeve të blerjes sipas klasave për së paku 20 për qind, ose 360 ​​denarë “Njëshi”, 300 denarë të jetë “Dyshi” dhe 240-250 denarë të jetë “Treshi”.

Ekspertët e kësaj fushe thonë se janë dy probleme kryesore për rentabilitetin e prodhimit të duhanit në Maqedoni, si çmimi i blerjes i cili duhet të pasojë kostot e shtrenjta të prodhimit së bashku me inflacionin, por edhe ndryshimi i strukturës demografike për shkak të emigrimit. Me fjalë të tjera nevojitet të paguhet mundi që të keni dikë për të prodhuar. Këto probleme mund të sjellin edhe stanjacion të prodhimit të duhanit në Maqedoni.

“Prodhuesit tanë të duhanit janë më të shqetësuar nga çmimi i blerjes. E konsiderojnë të ulët, dhe me të drejtë, nëse shikohet nga pikëpamja e kostove: karburantet, plehrat artificiale janë të shtrenjta dhe puna tashmë është bërë e shtrenjtë. Sjellja e argatit është tashmë një biznes i shtrenjtë. Nga ky aspekt, do të ketë stagnim në prodhimin tonë, nëse nuk ndryshon diçka në çmimet e blerjes, andaj ato duhet të rriten, të jetë në një nivel që do të ndjekë këtë inflacion që sundon këtë periudhë”, thekson profesori universitar, Zllatko Arsov.

Gjithashtu prodhuesit e duhanit fitojnë edhe subvencione të mëdha. Shuma e subvencioneve është e shkallëzuar dhe është 80 denarë për kilogram për duhan të prodhuar dhe dorëzuar, 70 denarë për duhan të klasës së dytë dhe 60 denarë për duhan të klasës së tretë të prodhuar dhe dorëzuar nga korrja e vitit 2022.

Ndryshe, 10 kompani do të blejnë duhan dhe afati ligjor për fillimin e blerjes është data 15 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat