Sfidat e personave të verbër në komunikacion në Maqedoni

Maqedonia

Sfidat e personave të verbër në komunikacion në Maqedoni

Më: 13 janar 2024 Në ora: 19:24
Ilustrim

Personat e verbër dhe ata me shikim të dëmtuar, përpos pengesës së tyre me shikimin, ata nuk kanë as kushte për lëvizje, për punë e transport. Për Fisnik Selimin nga Çairi, pjesët më problematike për lëvizje janë trotuaret e uzurpuara me mallëra dhe me vetura.

“Ka shumë probleme dhe vështirësi mirëpo vështirësitë më të mëdhaja janë se trotuaret janë shumë të shkurtëra dhe përpos kësaj ka edhe parkime të veturave dhe ka shitje të pazareve etj etj. Me ndihmën e këtij mjeti, shkopi i bardhë më tregon çdo lloj pengese që kemi anash, djathtas, majtas apo ndoshta edhe përpara.”- thotë Fisnik Selimi – Qytetar.

Fisniku hasë në rrezik jete kur kalon rrugën. Për t’i sinjalizuar veturat, ai shfrytëzon shkopin e tij të bardhë.

“Derisa isha duke kaluar vizat, unë ngrita shkopin tre herë që t’i sinjalizoj veturat që të ndalen se unë po kaloj. Nëqoftëse e ngriti tre herë shkopin, sinjalizoj veturat dhe vetura nuk ndalet, unë kam të drejtë të eci. Nëse bëhet aksident me veturë, nuk është faji im pastaj.”- pohon Fisnik Selimi – Qytetar.

Problem tjetër për Fisnikun dhe tjerët si Fisniku, është edhe transporti urban. Ata nuk kanë si të dijnë se cila linjë e autobusit ka arritur në stacion dhe te cili duhet të ngjiten.

“Nëse vij me asistentin tim, ai më tregon. Nëse vij vet është shumë e vështirë. Këtu nuk kemi as tajmera por edhe nëse ka, duhet të jenë me zërim që tregon përshembull se autobusi me numër 20 apo ndonjë numër tjetër do të vijë për dy, tre apo pesë minuta, e kështu me radhë.”- shton Fisnik Selimi – Qytetar.

Në Shkup shumë pak ka shtigje daktile të cilat orientojnë kah të lëvizin personat e verbër. Suaret Alishan nga koalicioni “Menuvame”, thotë se shtigje të tilla ka vetëm në Qendër afër Spitalit të Qytetit, por edhe ato nuk janë bërë sipas standardeve ndërkombëtare.

“Zerro, vetëm këtu është vendosur pak, sa të themi se ka. Thuajse vetëm këtu migrojnë personat me aftësi të kufizuara. Çfarë duhet të bëjnë që të arrijnë deri këtu nga shtëpitë e tyre? Këto shtigje duhet të shënohen me ngjyrë të verdhë. Ka persona me shikim me pengesa, të cilët përmes vërejtjes së senzorit të tyre, ajo është syri, rgb-ja. Ajo e njeh ngjyrën e verdhë dhe ashtu lëvizë ”thotë – Suaret Alishan – Koalicioni “Menuvame”.

Alishan bën thirrje deri te kryetarja e Qytetit të Shkupit që të përmirësojë kushtet për personat e verbër.

Për këtë, e nderuara kryetare, këto janë lëshimet tuaja, ky është realiteti që na e imponuat dhe nëse doni diçka të bëni në jetën tuaj, bëjeni në interes të qytetarëve dhe personave me aftësi të kufizuara.- shton Suaret Alishan – Koalicioni “Menuvame”.

E nga Qyteti i Shkupit thonë se kanë ndërmarë vazhdimisht masa për të përmirësuar infrastrukturën për personat e verbër.

“Qyteti i Shkupit është në komunikim të vazhdueshëm sa i përket kësaj problematike. Deri tani kemi vendosur sinjalizim me zë në 20 udhëkryqe dhe vendkalime për këmbësorë në përputhje me kërkesat. Qyteti i Shkupit gjatë përpilimit të projekteve për ndërtim të vendkalimeve të reja, planifikon korsi daktile për personat e verbër dhe me shikim të dobët. Gjithashtu çdo vit rreth 350 persona të verbër marin biletë falas për transport publik.”- thanë nga Qyteti i Shkupit.

Përndryshe vetëm në Qytetin e Shkupit jozyrtarisht janë rreth 2500 persona të verbër, ndërsa në gjithë Maqedoninë ka rreth 6200 të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat