25-vjeçari viktim e një aksidenti, inspektorati i punës ndalon punën

Maqedonia

25-vjeçari viktim e një aksidenti, inspektorati i punës ndalon punën

Më: 18 janar 2024 Në ora: 19:55
Foto ilustrim

Në këtë vend ku po ndërtohet, një 25 vjeçar pësoi aksident dhe si pasojë e lëndimeve të rënda humbi jetën. Ngjarja ka ndodhur në Karposh të Shkupit, ndërsa për rastin në fjalë ka informuar MPB-ja. Për vdekjen e të riut informuan edhe nga spitali i përgjithshëm i qytetit “Shën Naumi I Ohrit”.

“Ky është vendi në të cilin dje ka humbur jetën 25 vjeçari nga lëndimet që i mori gjatë kryerjes së detyrave të punës.”

Nga Inspektorati Shtetëror i Punës njoftojnë se pas kontrollit në vendin e ngjarjes është konstatuar se punëdhënësi nuk ka marrë masat e duhura për sigurinë e punëtorit.

“Nga Inspektorati Shtetëror i Punës është bërë inspektimi i jashtëzakonshëm dhe u konstatua se punëdhënësi nuk ka marrë masat në fushën e sigurisë dhe shëndetin në punë, të cilat e vënë punëtorin në rrezik, të menjëhershëm gjatë kryerjes së detyrave te punës – punime betoni armature në murin e garazhit nëntokësor.
Për shkak të ekzistencës së një rreziku të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e punonjësve të shtetit inspektorati i punës ka nxjerrë vendim me të cilin ndalohet puna në kantier.”-
thanë Inspektorati Shtetëror i Punës.

Inspektorati bënë të ditur se mbikëqyrja inspektuese do të vazhdojë edhe ditët në vijim me inspektimin e dokumentacionit të dorëzuar nga punëdhënësi, e cila do të pasohet me konstatimin e gjendjes së plotë faktike dhe marrjen e masave të duhura sipas rregulloreve ligjore.

Përveç kësaj kontaktuam edhe investitorin “Kapitoll” që po bën punimet, se a ka pasur veshje mbrojtëse personi që humbi jetën, por nga atje nuk morëm përgjigje. Sipas statistikave të Inspektoratit Shtetëror të Punës në vitin 2023, 17 persona humbën jetën në vendin e punës, dhe 12 të tjerë në vitin 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat