​Qeveria teknike, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konstatoi dorëheqjet

Maqedonia

​Qeveria teknike, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konstatoi dorëheqjet

Më: 26 janar 2024 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka konstatuar sot dorëheqjen e qeverisë dhe kreut të deritanishëm të Kuvendit, ndërsa me shumicë votash, 64, votoi zgjedhjen e Jovan Mitrevskit për kryetar të ri të Kuvendit në vendin e kreut të deritanishëm Talat Xhaferi.

Presidenti Stevo Pendarovski i dorëzoi sot mandatin për formimin e qeverisë së re për organizimin e zgjedhjeve Talat Xhaferit.

Partitë do të shfrytëzojnë kohën e mbetur deri të dielën për të zgjidhur përplasjet rreth asaj që VMRO-DPMNE-ja nuk dëshiron ta votojë qeverinë e drejtuar nga Xhaferi, ndërsa LSDM-ja thotë se nuk ka asnjë rast në botë kur një parti që merr pjesë në qeveri dhe të mos e votojë atë.

Martin Kostovski nga LSDM-ja tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë të udhëhiqen nga një qeverisje me integritet, e cila ofron zgjidhje për progres në vend.

Kostovski: Qytetarët e vendit meritojnë t’i udhëheqin njerëz me integritet

“Qytetarët e vendit meritojnë t’i udhëheqin njerëz me integritet për të cilët prioritet do të kenë të ardhmen me prosperitet të vendit dhe jo interesat e ngushta partiake. Jam i bindur se kjo vendosmëri për të siguruar një standard dhe e ardhme më e mirë për qytetarët tanë, kushte për përparim të të rinjve, të sigurohen kushte evropiane këtu në vendin tonë do ta njohin dhe do ta vlerësojnë edhe qytetarët në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare”, tha Kostovski.

Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, tha se dita e sotme tregon se seanca e sotme dëshmoi se qeveria aktuale do të vazhdojë në pafundësi të shkatërrojë vendin.

Micevski: Qeveria aktuale e shkatërroi shtetin

“Sot është ditë e madhe, dita në të cilën kjo qeveri ngadalë, por sigurt, pjesë pas pjese, funksionar pas funksionari vazhdon të rrënohet si shtëpi letre. Ky proces filloi dje me Kovaçevskin, vazhdon sot dhe do të mbarojë në ditën e zgjedhjeve në maj. Seanca e sotme është vazhdim i fundit të pafat të kësaj qeverie e cila në shtatë vjetët e fundit e shkatërroi shtetin, i shkatërroi dhe privatizoi institucionet, i varfëroi qytetarët, e rrëzoi ekonominë në gjunjë”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE.

Ndërsa, Dimitar Apasiev, kryetar i Të Majtës, doli me kritika ndaj Jovan Mitrevski, kryetarit të ri të Kuvendit.

Apasiev: Shijo mik 100 ditët e ardhshme

“Mik Jovçe, edhe peshkun e artë të kishe kapur në liqen, nuk do të kishte shkuar mendja që ndonjëherë në jetë do të bëheshe kryetar i Kuvendit. Shijo mik 100 ditët e ardhshme dhe sillu si faraon, më keq se Talati. Kur të kthehesh në Strugë me xhepat plot, peshkun mos ja jep sherifit Merko nga BDI-ja sepse është në listën e zezë të Amerikës. Lëshoje në liqen dhe le ta kapë Pecakov nga VMRO-ja. Atij do t’i duhet meqë rregullon shumë tenderë”, tha Apasiev.

Jovan Mitrevski, kryetar i ri i Kuvendit, tha se mbeten të hapur për bashkëpunim me partitë e tjera parlamentare.

Mitrevski:Bashkë do të vazhdojmë ta përforcojmë demokracinë

“Besoj se bashkë do të vazhdojmë ta përforcojmë demokracinë, sepse për demokracitë e reja si kjo e jona kjo është e rëndësishme ta bëjmë secilën ditë. Mbetem i hapur për bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare për aq kohë sa shoh, mendoj dhe ndjej se ajo bën pala e kundërt është në interes të shtetit dhe të qytetarëve”, tha Mitrevski.

Ndryshe, Qeveria e re teknike pritet të votohet të dielën, 100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Sipas ligjit, ajo do të përbëhet nga disa parti, përfshirë edhe dy ministra nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ministër i Brendshëm dhe ministër për Punë dhe Politikë Sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat