Xhezairi: Shqiptarët në RMV nuk do të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore

Maqedonia

Xhezairi: Shqiptarët në RMV nuk do të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore

Më: 26 janar 2024 Në ora: 19:23
Seladin Xhezairi

Seladin Xhezairi, analist politik në Maqedoni të Veriut, ka komentuar ndryshimet në qeverinë e këtij vendi, ku për herë të parë në histori të RMV-së do të jetë në krye të ekzekutivit një shqiptar.

Ai theksoi se është kjo hera e parë që në ballë të një qeverie të Maqedonisë së pavarur, por edhe të historisë politike të Maqedonisë, që kur ka qenë pjesë e ish-Federatës Jugosllave, që një shqiptar, qoftë edhe 100 ditë, të ndodhet në ballë të ekzekutivit të vendit.

“Nuk do mend se përtej vlerësimeve të ndryshme partiake, emërimin e Talat Xhaferit të dielën në mbrëmje duhet parë si një përpjekje të shqiptarëve të këtushëm që të bëhen të zotë të vetvetes, dhe që Maqedonia në shkallë vendi pasqyrohet si një shtet shumetnik dhe shumëkonfesional. Zhvillimet, derisa nuk u shkarkuan dhe nuk u votua kryeparlamentari i ri i vendit, kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe konform marrëveshjes politike mes dy parterëve të koalicionit qeverisës së LSDM-së të kryeministrit të deritashëm Kovaçevski dhe i BDI-së të Ali Ahmetit, që përfaqësuesi i saj, Talat Xhaferi, në 100-ditëshin e ardhshëm deri në zgjedhjet të 8 majit, t’i prijë qeverisë teknike. Detyra e saj është të mirëorganizojë procesin zgjedhor për legjislaturën e 11-të të vendit që nga shkëputja nga ish-Federata Jugosllave në fillim të viteve të 90-ta”, deklaroi ai.

Duke folur për mundësinë që shqiptarët të hyjnë në këto zgjedhje me një listë të përbashkët, Xhezairi tha se faktori politik shqiptar në Maqedoni do të ketë fjalën kryesore, mbase edhe vendimtare, edhe për sa i përket krijimit të qeverisë së ardhshme.

“Mirëpo, për sa i përket mundësisë që shqiptarët e këtushëm të dalin me një listë, është vetëm një dëshirë, për shkak se në momentin që po flasim, është më se e sigurt se do të garojnë me së paku dy lista zgjedhore. Pritet të mësohet se nga do të anojë partia Aleanca për Shqiptarët, e cila ende nuk ka marrë vendim nëse do të bëhet pjesë e Frontit Evropian ku bëjnë pjesë BDI dhe mund të thuhet edhe Lidhja Socialdemokrate maqedonase, apo do t’i bashkohet LEN-it, tri partive opozitare, të cilat pritet të garojnë me një listë, e të cilave do t’ju bashkohet edhe një përfaqësues ose dy, kandidat për deputet, të dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje, apo Aleanca për Shqiptarët do të dalë me listën e vet zgjedhore. Të gjitha sondazhet nxjerrin si favorite në kampin maqedonas partinë VMRP-DPMNE, ndërsa në kampin shqiptar, kampin e Ali Ahmetit”, tha ai.

Për vijat e mundshme të kuqe mes subjekteve politike, Xhezairi tha se bashkëpunimi politik ndërpartiak ka qenë i paevitueshëm, ndërsa u shpreh se beson që edhe në të ardhmen kështu do të ndodhë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat