​Ahmeti: Nesër ditë historike, zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni

Maqedonia

​Ahmeti: Nesër ditë historike, zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni

Më: 27 janar 2024 Në ora: 12:28
Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se nesër është ditë historike, pasi zgjedhin kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

Ahmeti në një paraqitje publike, ka kujtuar paraqitjen e katë viteve më parë, ku ka thënë se shqiptarët kanë ëndërruar për liri, për barazi, e të cilat nuk vijnë lehtë por kërkojnë shumë sakrificë dhe përkushtim, por edhe besim që qëllimi do të arrihet.

Ahmeti: Nesër është ditë historike zgjedhim Kryeministrin e parë shqiptar

“Besoja edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Edhe në zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar. Besoja që do të bëhemi pjesë e NATOsë dhe që do të hapim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Besoj edhe që shpejtë do të anëtarësohemi në Bashkimin Europian, sepse Shtetet e Bashkuara të Europës është ideali im dhe për këtë punoj çdo ditë. E nesër vëllezër e motra, nesër është ditë historike. Nesër, e diel, më 28 janar të motit 2024, zgjedhim Kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkarisht po ndërmarrim përgjegjësinë për ti prirë vendit, jo njëri pas tjetrit, por krah më krah, bashkë, për një Maqedoni Europiane. Jam mirënjohës që na besuat, u rreshtuat pas ëndrrës tonë dhe që ky besim i juaji, kjo mbështetje e juaja po shpërblehet nesër, edhe me një premtim të mbajtur, edhe me një punë të kryer, edhe me një ëndërr të realizuar. Uroj të gjithë qytetarët tanë për këtë të arritur dhe jam i sigurt që vendi ynë po bëhet edhe më i fortë, edhe më i barabartë edhe më i bashkuar”, tha ai duke shtuar se kanë edheshumë punë për të bërë dhe ëndrra për të realizuar.

Sipas tij, sot është nevoja e bashkimit, duke lënë anash gjërat që i ndajnë dhe të bashkohen rreth gjërave që i afrojnë.

Ahmeti: Duhet të bëhemi bashkë

“Cfarë do të bëjmë ne nesër, do të definojë jetën e gjeneratave pas nesh. A duam t’ju lëmë mbesave dhe nipërve tanë një Maqedoni Evropiane a po një Maqedoni proruse, një vend demokratik, apo diktatorial, paqe a po konflikt, përparim a po vend numëro. Pikërisht për këtë, duhet të bëhemi bashkë. Këto procese janë më të mëdha se secili prej nesh, por është në duart tona që të ndërtojmë ura dhe ta shtrojmë rrugën për realizimin e ëndrrave..... Kryeministrin e parë shqiptar e bëmë bashkë, ta bëjmë edhe Maqedoninë Europiane bashkë, duke besuar se ëndrrat realizohen po që se besoni dhe punoni”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat