Kalimi në opozitë i Aleancës për Shqiptarët përcillet me incidente

Maqedonia

Kalimi në opozitë i Aleancës për Shqiptarët përcillet me incidente

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 17:05
Kreu i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari (në qendër)

Partia Aleanca për Shqiptarët që konsiderohet me peshë për garën në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut, ka shkaktuar debat të gjerë politik, por së fundi edhe incidente pas ndarjes së saj në dy pjesë. Kryetari i partisë që është pjesë e Qeverisë teknike, Arben Taravari, është kërcënuar me një plumb pas vendimit për të kaluar në radhët e opozitës shqiptare.

Një pjesë tjetër e partisë e ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka paralajmëruar shkarkimin e Taravarit. Zhvillimet në këtë parti, nga analistët, vlerësohen si betejë e dy blloqeve tjera për forcimin e pozicioneve të tyre. Përplasjet në këtë parti u përshkallëzuan pas takimit që përfaqësues të opozitës shqiptare dhe Arben Taravari patën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.

Kreu i partisë Aleanca për Shqiptarët (ASH), njëherësh kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ka bërë thirrje për qetësi pas incidenteve që pasuan vendimin e tij për të dalë në bllokun opozitar shqiptar, me qëllim, siç thuhet, “sjelljen e ndryshimit politik te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”.

Taravari të hënën ka denoncuar në polici rastin e gjetjes së një plumbi të armës automatike në pragun e shtëpisë së tij në Gostivar. Ndërsa, mbrëmjen e së dielës, kur ai publikoi vendimin, u regjistrua edhe një rrahje mes zyrtarëve të kësaj partie në Tetovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut i ka konfirmuar këto incidente dhe ka nisur hetimet duke dërguar plumbin në ekspertizë, kurse për rrahjen në Tetovë ka marrë në pyetje dy persona dhe më pas rasti ka kaluar në procedurë të organeve të ndjekjes penale.

“Ju lutem për qetësi, urtësi. Edhe ata që mendojnë më ndryshe se ne, trajtoni si shokë sepse kemi qenë bashkë, dhe përsëri mund të jemi bashkë. Unë besoj se do të arrijmë t’i tejkalojmë mosmarrëveshjet mes nesh, por qëndrimi i shumicës patjetër të respektohet”, ka thënë Taravari para mbështetësve të tij në Gostivar.

Aleanca për Shqiptarët, që është pjesë e Qeverisë teknike, është e ndarë në dy pjesë, njëra është për t’iu bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim, koalicion i partive opozitare, për zgjedhjet e ardhshme të 8 majit. Pjesa tjetër është që të garojë e vetme në zgjedhje, apo edhe të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar - Fronti Evropian.

Kryetari i partisë, Arben Taravari, ka thënë se akti që ka ndodhur para shtëpisë së tij kishte për qëllim “frikësimin” dhe “zmbrapsjen” e tij nga vendimi për të kaluar me opozitën.

Por, pavarësisht kësaj, Taravari ka deklaruar se shqiptarët kanë nevojë për ndryshim dhe se nga kjo rrugë nuk do të heqë dorë.

“Besoj se kishte tendenca për të më frikësuar para shtëpisë sime, prandaj ju jeni këtu për të më mbështetur. Por, ta dini se nuk ka forcë që do të më ndalë, jo një plumb por çfarëdo që vjen para meje nuk ndalem. Drejtësia është me ne dhe më së shumti që ju duhet shqiptarëve në këtë periudhë është që ta sjellim ndryshimin te shqiptarët”, ka thënë Taravari.

Por, kundër vendimit të tij ka dalë një pjesë tjetër e organeve drejtuese të partisë, udhëhequr nga Ziadin Sela që drejton Kuvendin e ASH-së.

Veprimin e Taravarit Sela e ka quajtur “akt qyqar”, ndërsa për të shtunën, më 10 shkurt, ka thirrur mbledhjen e Kuvendit të partisë, ku do të kërkohet llogari nga Taravari duke mos përjashtuar edhe shkarkimin e tij nga drejtimi i Aleancës për Shqiptarët.

Zhvillimet në këtë parti pasuan një takim që Arben Taravari dhe drejtuesit e tri partive tjera opozitare të bashkuara në Lidhjen Evropiane për Ndryshim, u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 30 janar.

Në këtë takim ishte biseduar për unifikimin e bllokut opozitar, si dhe mundësinë që të dilet me një kandidat shqiptar për president në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill.

Lidhja Evropiane për Ndryshimin i ka ofruar Arben Taravarit që të jetë kandidat i saj për kreun e shtetit, ndërkohë opozita do ta ketë edhe mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila do të ketë edhe kandidatë në listat për deputet në zgjedhjet e 8 majit.

Qëllimi i krijimit të një Fronti të gjerë opozitar është fitorja ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila është në pushtet që nga viti 2002.

Kjo parti nuk i ka komentuar incidentet e fundit, por në opinion ka pasur kritika për, siç është thënë, “ndërhyrjen e Vetëvendosjes në Maqedoni”.

“Mirë bëjmë që të mos ndërhyjmë në punët politike të njëri-tjetrit, as unë në Kosovës e as ata në Maqedoni...Unë ju kam vëllezër të gjithëve, edhe Albinin e kam vëlla dhe nuk e ruaj shpinën nga askush. Unë e kam thënë në Tiranë dhe në Prishtinë, mos flisni pas shpine. Nëse s’ju pëlqen diçka, ta thoni publikisht”, ka thënë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, për mediat në Kosovë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se periudha deri në zgjedhjet parlamentare do të jetë e tensionuar duke marrë parasysh zhvillimet e fundit politike të përcjella edhe me incidente.

Shpëtim Pollozhani, njohës i rrethanave politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë duhet ta kuptojnë se “rotacioni politik” nuk është edhe fundi i veprimit politik, andaj ato duhet të angazhohen për një garë zgjedhore demokratike dhe në fund ta lënë elektoratin të vendosë për ofertat, me të cilat partitë dalin në zgjedhje.

“Është dëshmuar se rotacioni është i shëndetshëm për demokracinë. Duhet të jemi të përgatitur edhe për skenar të këtillë, skenar dhune, por unë mendoj se do t’i thërrasin mendjes. Gara zgjedhore duhet të jetë vërtet demokratike, por duke marrë parasysh se shumë njerëz të pushtetit kanë qenë të dënuar për veprime jodemokratike, madje edhe kriminale, nuk shpresoj se do të jenë shumë demokratike, mirëpo duhet t’i lihet elektoratit që të vendosë”, thotë Pollozhani.

Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se tensione apo debate polemizuese është normale të ketë, por jo edhe incidente, pasi ato krijojnë efekt të kundërt te partitë politike.

“Është e qartë se do të ketë tensione politike, por me rëndësi të madhe është që ato tensione të jenë vetëm politike. Është normale të ketë tone të ashpra, debate polemizuese, qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara, por nuk ka nevojë që ato tensione të dalin jashtë debateve apo të reflektohen në rrugë dhe kafene. Partitë duhet të jenë të vetëdijshme se incidentet e tilla mund të kenë vetëm efekt të kundërt për ata që edhe i shkaktojnë”, vlerëson Bozhinovski.

Sipas tij, debati që ka ngritur në opinion Aleanca për Shqiptarë flet për rëndësinë që ka ajo si “lojtar i tretë” në bllokun e partive politike shqiptare, edhe për faktin se BDI-ja në pushtet po udhëheq në sondazhet kundër opozitës së bashkuar, por jo aq bindëse si më parë.

Prandaj, sipas Bozhinovskit, animi i Aleancës për Shqiptarët kah njëri apo tjetri bllok politik mund të nënkuptojë se kush do të mund të jetë fitues i zgjedhjeve më 8 maj dhe rrjedhimisht të jetë pjesë e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat