Qeveria RMV-së formon Këshillin e NATO-s, Xhaferi: Do ta përforcojë sigurinë tonë

Maqedonia

Qeveria RMV-së formon Këshillin e NATO-s, Xhaferi: Do ta përforcojë sigurinë tonë

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 18:15
Foto nga takimi

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot filloi seanca inauguruese e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s.

Ngjarja është në organizim të përbashkët me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, me mbështetjen e së cilës u realizua formimi i Këshillit në kuadër të projektit për mbështetjen e Drejtorisë për NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Këshilli u miratua në mënyrë formale në një seancë qeveritare në janar të vitit 2024 si mekanizëm zyrtar ndërqeveritar për koordinimin e çështjeve në drejtim të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes në lidhje me NATO-n.

Në fjalën e tij kryeministri Talat Xhaferi, theksoi se mbi të gjitha, ky Këshill e konfirmon përkushtimin e vendit për sigurinë përmes unitetit dhe lidhjes së fortë me aleatin dhe mbështetësin – Mbretërinë e Bashkuar”.

“Në kushte kur bota përballet me siguri të çrregulluar, me sfida ndaj vlerave dhe parimeve tona demokratike nga aktorë autoritarë, çdo përpjekje e përbashkët është një kontribut për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe të përforcimit të pozicionit tonë si faktor stabiliteti në rajon. Pikërisht ky është efekti që pres të arrijë edhe ky Këshill. Megjithatë, ne nuk jemi vetëm një faktor stabiliteti në rajon. Ne kontribuojmë në mënyrë të barabartë dhe krah për krahu me aleatët tanë në NATO, aktualisht 31 a së shpejti 32, në ruajtjen e paqes së mbi një miliardë qytetarëve me të cilët i ndajmë përcaktimet e njëjta demokratike për paqe dhe stabilitet”, tha Xhaferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat