Vetëm pesë lindje në Spitalin e Dibrës

Maqedonia

Vetëm pesë lindje në Spitalin e Dibrës

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 18:47
Ilustrim

Edhe gjatë vitit që kaloi nënat dibrane në pjesën dërmuese të tyre lindjet i kanë bërë në qendrat spitalore të qyteteve të tjera dhe janë regjistruar vetëm pesë lindje në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër. Këtë për gazetën Koha e thonë përfaqësues të Spitalit të komunës Dibër.

Gjatë vitit 2023 numri më i madh i lindjeve i nënave dibrane është realizuar në Spitalin të Ohrit si dhe në disa spitale të qyteteve të tjera të vendit. Problemi kryesor që lindjet nuk realizohen në Dibër, është tek moskompletimi i ekipit në repartin e gjinekologjisë në Spitalin e Dibrës.

“Sipas të dhënave zyrtare që posedon Spitali i Përgjithshëm në Dibër, në vitin 2023 janë realizuar gjithsej 149 lindje. Nga ky numër në Spitalin e Dibrës janë regjistruar vetëm pesë lindje. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e lindjeve janë realizuar në Spitalet e qyteteve të tjera. Në Spitalin e Strugës janë kryer 38 lindje, në atë të Ohrit 49, në klinikat e Shkupit 44, 6 lindje nënat kanë realizuar në Spitalin e Tetovës dhe një lindje në Spitalin e Manastirit. Është për tu theksuar edhe fakti se nënat dibrane kanë lindur edhe në shtete të tjera edhe pse janë banorë të komunës Dibër”.

“Të dhënat të Spitalit thonë se katër lindje janë realizuar në SHBA dhe dy lindje në Gjermani. Kompetentët në institucionin shëndetësor të Dibrës thonë se nënat dibrane tanimë preferojnë të lindin jashtë Spitalit të Dibrës kryesisht në Spitalet e qyteteve fqinje apo në Shkup dhe Tetovë. Problemi qëndron tek mungesa e transfuziologut”, thotë gjinekologu Ashim Imeroski i cili potencon se në repartin e gjinekologjisë janë dy gjinekolog dhe një ekip i mamive. Është tentuar nga drejtoritë e këtij Spitali që gjithmonë të përmbushen kushtet për lindje por tranfuziologu ka munguar vite me radhë.

Burimi i njëjtë potencon se të dhënat statistikore thonë se në kuadër të lindjeve të përgjithshme për vitin e kaluar që janë 149, 101 lindje janë kryer nga nënat në qytetin e Dibrës. Nga ana tjetër lindjet tjera janë të nënave që jetojnë në vendbanimet rurale të komunës Dibër dhe të komunës Qendër Zhupë. Bëhet fjalë për 48 lindje nga të cilët 22 në komunën rurale Qendër Zhupë. Nëse bëhet një analizë e lindjeve del që në qytet ka një dyfishim të numrit të lindjeve më krahasim me lindjet që janë realizuar në fshatrat të Dibrës si dhe në fshatrat e komunës Qendër Zhupë.

Pasojat e migrimit janë të qarta edhe në numrin e lindjeve si në qytet ashtu edhe në fshatra. Në komunën rurale Qendër Zhupë vitin që kaloi janë regjistruar 22 lindje edhe pse numri i lindjeve para një dekade ka qenë dhjetë fish më i madh. Kjo komunë rurale e cila ka 17 fshatra, me 22 lindjet flet që në disa fshatra gjatë vitit që kaloi nuk ka patur asnjë lindje. Sa i takon qytetit të Dibrës normalisht edhe këtu migrimi ka lënë pasoja në numrin e lindjeve. Para dy dekada ka patur pesë herë më shumë lindje se sa vitin që kaloi. Gjinekologu Ferik Vojnika për gazetën KOHA thotë se viteve të 70-ta në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër mesatarisht janë realizuar mbi 800 lindje e cila ato vite si territor të saj kishte edhe komunën Qendër Zhupë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat