Çmimet e larta, në Maqedoni mund të mbijetosh, por jo të jetosh

Maqedonia

Çmimet e larta, në Maqedoni mund të mbijetosh, por jo të jetosh

Më: 24 mars 2024 Në ora: 15:49
Foto ilustrim

Çmimet e produkteve ushqimore mbeten akoma të shtrenjta. Edhe pse pas heqjes së çmimeve të garantuara nuk pati një rritje të re drastike, por edhe këto aktuale mbeten shumë lartë nga standardi i qytetarëve. Kjo bëri të rritet shporta e konsumit për 25 euro vetëm muajin e fundit, ndërsa për një familje 4 anëtarë kostoja e jetesës mujore me gjithë qiranë kalon 1,200 euro. Ajo që rritet me hapa të ngadalshëm janë pagat. Në mars vetëm 40 euro do rritet paga minimale, dhe krahas harmonizimit me të edhe pagat në sektorin publik do rriten njësoj për rreth 60 mijë të punësuar. Por sektori privat mbetet gjithashtu larg arritjes së ritmit të shtrenjtimeve. Andaj ekspertët këtë e shohin si problem të ikjes së qytetarëve.

“Tanët ankohen përse njerëzit shkojnë, dhe kur ta shihni më thellë këtë problem ekonomik, njerëzit shkojnë atje ku fitojnë më shumë. Në Maqedoni mund të mbijetosh, nuk mund të jetosh, nuk mund të zhvillohesh”, tha Lubomir Kekenovski, Profesor Universitar Ekonomik.

Nga Odat Ekonomike, thonë se bizneset po tkurren nga masa të shumta të shtetit. Ata thonë se fuqia prodhuese vendore është e ulët prandaj kjo ndikon në rritje të çmimeve sepse gjithçka importohet. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, thonë se shteti nuk duhet të merret vetëm me masa ndëshkuese për bizneset por të krijojë kushte konkurruese që vetë të rregullohet tregu i lirë.

“Ndryshimet e çmimeve që bëhen, ndodhin pikërisht nga mungesa e kapaciteteve vendore prodhuese. Përskaj gjitha këtyre ngritje të çmimeve të kemi leverdi më tepër të importojmë sesa të prodhojmë. Çdo gjë në vendin tonë është më e shtrenjtë në raport me shtetet më të zhvilluara dhe tregtarët kanë më llogari të importojnë të gatshme e jo të prodhojmë”, u shpreh Durim Zeqiri, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Një stabilizator i çmimeve pritet të bëhet përmes Ligjit për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare. Kryetarja e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, Ana Nikolloska, tha se në ligj janë theksuar se cilat janë praktikat e padrejta tregtare dhe për parandalimin e tyre do të ketë punësime të reja. Në afat prej 6 muajsh do të harmonizojë gjitha aktet nënligjore për zbatimin e tij, ndërsa gjobat do jenë deri 20 mijë €.

“Bëhet fjalë për 26 praktika të padrejta tregtare dhe Komisioni për zbatim efikas të këtyre dispozitave do të ketë tre punësime të reja. Më tej, sipas nevojës do të ketë ndryshim të sistematizimit të stafit aktual”, tha Ana Nikoloska, Kryetare e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës.

Një ligj i tillë është duke u zbatuar në Slloveni, Kroaci dhe Bullgari, ku paga mesatare është shumë me e lartë krahasuar me pagat tona. Edhe Mali i Zi nga prilli ka miratuar ngrirje e marzhës së fitimit të rreth 500 artikujve të çmimeve me pakicë, paga mesatare në Mal të Zi është 814€, ndërsa minimumi 450€. Tregtarët e rrjeteve të super marketeve që nga koha e pandemisë e deri në masat e ngrirjes së çmimeve, kanë shtrenjtuar ushqimoret deri nga 35-70% pa deklaruar fatura të kostove aq të larta të shpenzimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat