KSHZ numëron 99.85% të votave, ja kush po prin dhe ku renditen Osmani dhe Taravari

Maqedonia

KSHZ numëron 99.85% të votave, ja kush po prin dhe ku renditen Osmani dhe Taravari

Më: 24 prill 2024 Në ora: 07:37 Përditësuar në ora: 21:48 më 24.04.2024
Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova

​Osmani shpalli fitoren ndaj Taravarit

Kandidati i BDI-së Bujar Osmani në paraqitjen e tij të parë deklaroi se fitorja e tij kundrejt kandidatit të VLEN-it është shumë e thellë, sipas tij diku mbi 40 mijë vota.

Osmani numëroi dhe komunat në të cilat ka shënuar fitore, përfshi edhe Tetovën, Gostivarin dhe Çairin.

“Kemi shënuar fitore në çdo komunë të vendit. Jegunovcë, Haraçinë, Vrapçishtë, Studeniçanë, Likovë, Bogovinjë, Zhelinë, Gazi Babë, Bërvenicë, Dollnen, Resnjë, Strugë, Çashkë, Zelenikovë, Ohër dhe fitore në Tetovë, Saraj, Manastir, Çuçer Sandevë, Veles, Kërçovë, Karposh, fitore në Gostivar, Krushëvë, Kumanovë…në Çair, Qendër, Dibër gjithandej në Republikë, fitore e thellë e Frontit Evropian”, deklaroi Osmani.

​BDI nis festën në Shkup, Grubi: Fitoi UÇK-ja e Ali Ahmeti

Një numër i madh i simpatizuesve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) janë grumbulluar sonte në sheshin “Skënderbeu” në Shkup për të festuar. Mes të pranishmëve janëedhe Artan Grubi dhe Nazim Bushi.

“U çlirua Çairi, fitoi Maqedonia Evropiane. Me gjithë ato obstruksione, me gjithë ato koalicione për ta shkatërruar UÇK-në, BDI-në dhe Ali Ahmetin votuesit u përcaktuan për BDI-në dhe Ali Ahmetin, kjo fitore do të dyfishohet më 8 maj. Kjo fitore do të jenë garantuese për Maqedoninë Evropiane. Jemi te sheshi jonë, këtë shesh e ka ndërtuar Ali Ahmeti dhe UÇK-ja. Dhe ky nuk është provokim”, tha Grubi.

Ndërkohë paraprakisht zyrtarët e VLEN-it kanë lëshuar zyrat dhe janë zhvendosur në zyrat e lëvizjes demokratike. Në shesh janë vërejtur edhe një numër i madh i forcave policore.

​Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni: Ja kush prin momentalisht

Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë së Veriut, mes VLEN dhe Frontit Evropian, për momentin duke prirë me vota është Bujar Osmani nga Fronti Evropian me 17.03%, derisa Arben Taravari nga VLEN deri tani ka 12.45%.

Prin Gordana Siljanoska Davkova nga VMRO DPMNE-ja opozitare me 36.51, pasuar nga Stevo Pendarovski Lidhja Socialdemokrate 17.93, Maksim Dimitrievski, kryetari i Kumanovës 7.75, Biljana Vankosvka Cvetkovska nga “E Majta” 4.31 për qind dhe Stevco Jakimovksi, kryetari i Karposhi Shkup me 0.95 për qind.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot kanë votuar për presidentin e tyre të ardhshëm.

Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën zgjedhore është 1.814.317.

Sipas të dhënave të Këshillit Shtetëror Zgjedhor të orës 18:30, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ka votuar 48.46 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Me 38% të votave të numëruara: Osmani në epërsi ndaj Taravarit

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e dytë.

Sipas KSHZ-së, me 38% të votave të numëruara deri tani, këto janë rezultatet e kandidatëve për president.

Bujar Osmani – 57 870

Arben Taravari – 42 210

Llukarevska: Pendarovski shkon në raundin e dytë

Nënkryetarja e LSDM-së Sanja Llukarevska në paraqitjen e saj të parë pas përfundimit të procesit zgjedhor tha se kandidati për president i LSDM-së, Stevo Pendarovsli do të shkoj në raund të dytë dhe do të grumbulloj numrin më të madh të votave, përfshi edhe të atyre kandidatëve që ndajnë vlera europiane e që nuk arritën të shkojnë në raund të dytë.

“Falënderoj qytetarët që realizuan të drejtën e votës, në bazë të kësaj si shoqëri dëshmuam se kemi kapacitete demokratik për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Unë vetëm nga ju mediat i kam dëgjuar për disa parregullsi. Më vjen mirë që kishim numër të madh të votuesve dhe se qytetarët dëshirojnë vetë të vendosin për të ardhmen e tyre”.

“Do të them se kandidati i LSDM-së do të jetë në raundin e dytë dhe se të gjithë ata që ndajnë vlerat evropiane do të na e japin mbështetjen, unë besoj se kandidati jonë do të fitoj numrin më të madh të votave gjatë raundit të dytë. Besoj se të gjithë kandidatët që ndajnë vlera evropiane dhe nuk kaluan në raundin e dytë, votën do t’ia japin kandidatit tonë”, tha Llukarevska.

KSHZ jep detaje për përqindjen e daljes së votuesve deri në fund të procesit zgjedhor

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve doli me informacioni mbi daljen e votuesve deri në ora 19:00 ose në fund të procesit të votimit.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashkovski në konferencë për shtyp tha se deri 19:00 kanë votuar 801.074 votues, ose 48.46%.

Dashkovski shtoi se Novaci është komuna me daljen më të madhe.

Ndërsa më pak në Qendër Zhupë.

Xhaferi: Vota e qytetarëve do e konfirmojë rrugën evropiane të vendit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, mëngjesin e sotëm në vendlindjen Forinë e realizoi të drejtën e tij të votimit në zgjedhjet e sotme presidenciale.

Në deklaratën e dhënë për mediat pas votimit, Kryeministri Xhaferi uroi një ditë të qetë zgjedhore në të cilën qytetarët do e shprehin vullnetin e tyre personal ndërsa detyrë e institucioneve shtetërore është që këtë ta mundësojnë.

Kryeministri porositi se këto zgjedhje janë të një rëndësie të madhe, sepse prej tyre varet në cilin drejtim do të ecë shteti.

„Në këto tri dekada të pavarësisë së shtetit, përcaktimi themelor është që vendi dhe qytetarët pretendojnë anëtarësim në BE dhe ne jemi të obliguar që këtë ta sigurojmë. Gjithsesi, qytetarët, përmes vullnetit të vet, duke votuar, këtë do e konfirmojnë. Duke i marrë parasysh gjendjet globale, por edhe gjendjet në rajon, konsideroj se shumica e qytetarëve këtë do e shprehin edhe përmes procesit të votimit”, deklaroi Xhaferi.

Arbër Ademi: Dita e zgjedhjeve ka qenë e qetë, ndërsa fushata evropiane

Arbër Ademi nga BDI në konferencë për shtyp, pas përfundimit të procesit zgjedhor tha se dita e sotme ka qenë e qetë.

Ai tha se fushata ka qenë evropiane, ndërsa i falënderoi partnerët e koalicionit.

“Kemi pasur ditë të qetë në të cilën qytetarët patën mundësi të zgjedhin opsionin e tyre, ky është thelbi i demokracisë që qytetarët të vendosin për vete. Falënderoj pjesëtarët e koalicionit dhe të gjithë ata që na votuan. Sot qytetarët dhanë vullnetin e tyre, ndërsa neve na mbetet ta zbatojmë atë”, tha mes tjerash Arbër Ademi.

Osmani: Vendi është në udhëkryq, qytetarët të vendosin sipas bindjes së tyre

Kandidati i Frontit Evropian për president Bujar Osmani, ka votuar sot në zgjedhjet presidenciale që janë të shtatat me radhë.

Ai i ftoi qytetarët të dalin sa më shumë në zgjedhje dhe të vendosin sipas bindjes së tyre.

“Inkurajoj qytetarët të votojnë sa më shumë dhe sipas bindjes tyre me shpresë për të ardhme më të mirë. Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e vendit tonë, pasi shteti është në udhëkryq dy opsione janë para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin në mes integrimit ose izolimit”, tha Bujar Osmani.

​Mbyllen vendvotimet në Maqedoni, Taravari del para mediave

Në orën 19:00 janë mbyllur vendvotimet për raundin e parë të zgjedhjeve të sotme presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Kandidati për president nga VLEN, Arben Taravari, ka pasur paraqitjen e parë për media pas mbylljes së vendvotimeve.

Ai ka thënë se garantojnë se vota e secilit do të jetë e sigurt.

“Jemi këtu dhe do të garantojmë se vota e secilit do të jetë e sigurt. Vota e shqiptarëve nuk duhet të preket”, ka theksuar Taravari. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat