Pendarovski dhe Siljanovska vazhdojnë fushatën, kërkojnë mbështetje në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Maqedonia

Pendarovski dhe Siljanovska vazhdojnë fushatën, kërkojnë mbështetje në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Më: 1 maj 2024 Në ora: 17:28
Siljanovska, Pendarovski

Kandidati për president, Stevo Pendarovski, pret, siç thotë ai, mbështetje të madhe më 8 maj që vendi të ecë përpara, si vend demokratik, shumëetnik, progresiv i qytetarëve të barabartë.

Në takimet me qytetarët në Haraçinë dhe Kumanovë, ai dje ka theksuar se është duke udhëhequr konceptin e bashkimit ndërsa përçarjet e brendshme janë problemi më i madh për përparimin e shtetit.

“Kurrë nuk kam qenë dhe nuk kandidoj për president vetëm për maqedonasit. Do të jem president i të gjithëve, pasi kam qenë zëri i të gjithëve pa dallim etnie dhe çdo përkatësie. Promovimi dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë do të jetë prioritet në pesë vitet e ardhshme”, tha Stevo Pendarovski – kandidat për president.

Në anën tjetër, kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, në një tubim në Strumicë, iu përgjigj akuzave se po e shkel Kushtetutën, për shkak se nuk e ka përdorur emrin e shtetit “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Davkova theksoi se është e drejta e saj individuale për vetëvendosje.

“Secili prej nesh ka të drejtën individuale të vetëvendosjes dhe askush, askund dhe kurrë, as ju e as mua nuk mund të na ndalojnë ta përdorim emrin “Maqedoni”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova – kandidate për presidente.

Davkova përsëriti se si presidente do të angazhohet për sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, ndërsa për kabinetin e saj tha se do të jetë “Maqedonia në miniaturë”, por vetëm në bazë të profesionalizmit dhe jo kritereve të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat