Edhe ky vit shkollor me libra tepër të dëmtuara

Maqedonia

Edhe ky vit shkollor me libra tepër të dëmtuara

Më: 2 qershor 2016 Në ora: 18:22
Librat e dëmtuar

Nxënësit edhe këtë vit shkollor po e mbyllin me libra skajshmërisht të dëmtuar. Një pjesë e librave nuk u ndërruan as këtë vit shkollor kurse afati i paraparë që shkollat të kërkojnë rifurnizim për vitin e ardhshëm shkollor, ka qenë 30 prilli.

Ish punonjësi i shkollës “Zef Lush Marku” dhe drejtor i gjimnazit të ri në Saraj, Bedri Gjureci thotë se librat ndërrohen sa herë dëmtohen por arsyeja që disa shkolla shfrytëzojnë edhe libra të vjetërsuar është te moskorrektësia gjatë bërjes së kërkesës deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Librat e dëmtuar ose të vjetër ose ju mungon ndonjë faqe, duhet të paraqiten nga përgjegjësi i shkollës që është person adekuat për të kërkuar librat. Çdoherë që ne kemi kërkuar, çdoherë na është përgjigjur pozitivisht. Varet edhe nga përgjegjësit e shkollave që bëjnë kërkesën se në çfarë afati kohor e bëjnë atë”, tha Bedri Gjureci, drejtor.

Përgjegjësi i sektorit për arsim të mesën në Ministrinë e arsimit, Safet Neziri zotohet se ky institucion, ju përgjigjet pozitivisht të gjitha kërkesave të shkollave për furnizim me libra të ri por, sipas tij, problemi qëndron në rritjen e numrit të nxënësve pas bërjes së këtyre kërkesave.

“Unë deklaroj me plot përgjegjësi se Ministria e Arsimit gjithmonë, qind për qind ka reaguar pozitivisht dhe ju është përgjigjur pozitivisht kërkesave të gjitha shkollave të cilat ata I kanë dorëzuar në Ministrinë e arsimit deri më 30 prill. Problemi është aty se pasi fillon procesi edukativo-arsimor, nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Maqedonisë, kemi ndryshim të numrit të nxënësve, kryesisht rritje të numrit të nxënësve pas 1 shtatorit. Atëherë paraqitet mungesa e teksteve shkollore”, deklaroi Safet Neziri, përgjegjës i sektorit për arsim fillor.

Librat shkollor duhet tërësisht të ndërrohen çdo 5 vite, por jozyrtarisht mësojmë se për herë të fundit ndërrim komplet i librave nuk është bërë që në vitin 2009 kurse një iniciativë e nisur në vitin 2014, ka dështuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat