I dërguari special i Gjermanisë për Maqedoninë Johanes Hajndëll sot sërish vjen në Shkup në takime me nënshkruesit e Marrëveshjes së Përzhinës.
Siç informojnë nga Ambasada gjermane, Hajndëll, gjatë vizitës dyditore në Maqedoni do të takohet edhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, ndërsa janë paraparë edhe biseda me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov, me kryeministrin Emill Dimitriev, me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Poposki dhe me prokuroren speciale Katica Janeva.
Sipas paralajmërimit, i dërguari i posaçëm i ministrit gjerman të Punëve të Jashtme FrankValter Shtajnmaer për Maqedoninë, nesër duhet të japë deklratë për mediat.
Kjo do të jetë vizita e tretë e Hajndëllit në Maqedoni gjatë 30 ditëve të fundit.
Më 12 maj ai kishte takime me liderët e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, LSDM-së Zoran Zaev, BDI-së Ali Ahmeti dhe PDSH-së Menduh Thaçi, ndërsa gjatë vizitës së dytë më 20 maj, krahas me krerët partiakë, bisedoi edhe me presidentin Gjorge Ivanov dhe me kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanoski.
Në takimet, siç informuan bashkëbiseduesit e tij të Maqedonisë, Hajndëllit i kanë transmetuar qëndrimet e tyre për krizën aktuale politike dhe për mundësitë për tejkalim të saj.
I dërguari gjerman nuk dha deklaratë për mediat, por vetëm shkurt porositi liderët politikë që të ndërmarrin përgjegjësi dhe t’i vendosin interesat e shtetit para atyre partiake.
Ndërkohë, në intervistë për Deutche Welle, Hajndëll theksoi se Marrëveshja e Përzhinës edhe mëtej është bazë e mirë për gjetje të zgjidhjes për krizën në Maqedoni.
Porositi se BE-ja dhe Gjermania t’i ndihmojnë vendit të gjejë zgjidhje nga kriza, por që rrugën duhet vetë ta kalojë. Kjo, sipas tij, duhet të përfshijë tërheqje të faljeve nga presidenti Ivanov, punën e papenguar të Prokurorisë Speciale Publike dhe krijimin e kushteve për zgjedhje korrekte dhe demokratike.