Zaev i përgjigjet Gruevskit: Ai ka marrë fund, liria po vjen për të gjithë qytetarët

Maqedonia

Zaev i përgjigjet Gruevskit: Ai ka marrë fund, liria po vjen për të gjithë qytetarët

Më: 17 dhjetor 2016 Në ora: 19:26
Zoran Zaev

Lideri i LSDM’së, Zoran Zaev, i është kundërpërgjigjur liderit të VMRO-DPMNE’së, Nikolla Gruevski, duke i thënë se liria për të gjithë qytetarët po vjen.

Në një postim në Facebook, Zaev ka thënë se shumica dërmuese e qytetarëve, në zgjedhjet parlamentare, votuan për ndryshimin, dhe kjo, sipas tij, është e vështirë të pranohet nga partia e Gruevskit.

“Të nderuar qytetarë, Mos lejoni që të bini pre e provokimeve nga kushdo, përfshirë edhe atë që për 10 vjet qeverisi me Maqedoninë. Koha e tij ka mbaruar.Institucionet duhet të përfundojnë punën e tyre në pajtim me kushtetutën dhe ligjet. Vendimet e gjykatës nuk përcakton se kush formon qeverinë, por ato janë të rëndësishme për shkak të vërtetës dhe fakteve. Shumica dërmuese e qytetarëve, mbi 600 mijë njerëz votuan për ndryshime. Ndryshimet do të ndodhin, pasi ky është proces i pandalshëm edhe pse VMRO-DPMNE e ka shumë të vështirë që ta pranojë një gjë të tillë. Ndryshimi është i shëndetshëm për çdo vend, edhe për Maqedoninë”, shkruan Zaev.

Zaev i ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje dhe për sjellje dinjitoze.

Ai ka thënë se liria më në fund është duke ardhur në Maqedoni

“Liria është duke ardhur për të gjithë qytetarët, për ata që votuan për ndryshimin dhe për ata që ishin përkrah Gruevskit. Maqedonia do të vazhdojë rrugën e saj. Do të ketë jetë për të gjithë”, shkruan Zaev.

Sot, Gruevski ka kërcënuar se partia e tij nuk do të pranojë rezultatet zgjedhore, nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim për rimunërimin e votave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat