Sot pritet takimi i partive shqiptare në Maqedoni

Maqedonia

Sot pritet takimi i partive shqiptare në Maqedoni

Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 10:20
Ali Ahmeti

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka ftuar udhëheqësit e të gjitha partive të tjera shqiptare në Maqedoni që t’i bashkohen një takimi të përbashkët të organizuar prej tij.

Takimi pritet të sot rreth orës 13 në Shkup. Ndërkohë, ftesat janë dërguar te të gjitha partitë shqiptare, pa përjashtim. Në qendër të takimit pritet të jenë zhvillimet politike në Maqedoni pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.

Deri më tani, asnjë parti shqiptare nuk ka konfirmuar nëse do të dërgojë përfaqësues zyrtar në takimin e organizuar prej Ahmetit. Vetëm “Lëvizja Besa” ka njoftuar se do të mendohet njëherë përpara se të pranojë ftesën e udhëheqësit të BDI-së.

Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, njëra prej partive shqiptare në opozitë, Partia Demokratike Shqiptare, mbeti pa udhëheqës, pasi Menduh Thaçi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit.

Largimi i tij nga politika, ku ka qenë aktiv për rreth 20 vite, erdhi pas dështimit në zgjedhjet e 11 dhjetorit, ku siguroi vetëm dy mandate deputetësh. Tashmë, PDSH do të drejtohet nga Këshilli Drejtues i saj, derisa të zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm, data e së cilës do të caktohet nga Kuvendi Qendror i PDSH-së.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat