Qindra nxënës të Vizbegut pa transport

Maqedonia

Qindra nxënës të Vizbegut pa transport

Më: 6 janar 2017 Në ora: 15:09
Ilustrim

Ligji për arsim fillor nuk e përcakton qartë nëse transporti i nxënësve është i garantuar vetëm për lëvizje shkollë-shtëpi brenda për brenda komunës, (sikurse pretendojnë këta të fundit) apo edhe për lëvizje të nxënësve nga njëra komunë në tjetrën. Kjo ka lënë dore të lirë komunave që në rastet kur nxënësit e njërës komunë mësojnë në shkollat e komunave tjera të mos marrin për sipër organizmin e transportit të tyre nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.

Ideja për ndërtimin e një shkolle fillore në lagjen “Vizbeg” të Shkupit, përveç se ka shtuar shpresat për zgjidhjen e problemit arsimor të qindra nxënësve të kësaj lagje, ka zbehur mundësitë për zgjerimi eventual të shkollës “26 korriku” në lagjen e Shutkës, shkruan gazeta Koha.

Kjo shkollë, e cila graviton në komunën që ka të njëjtin emër me lagjen në të cilën ndodhet shkolla, është tani e shumë vite zgjidhje për pjesën dërmuese të nxënësve që jetojnë në Vizbeg. Një pjesë e nxënësve, prindërit e të cilëve janë në mundësi ti dërgojnë fëmijët nëpër shkolla të komunave tjera, shkollohen kryesisht në shkollat fillore “Ismail Qemali”, “Kongresi i Manastirit” apo “Liria”, në Komunën e Çairit. Mirëpo, pjesa dërmuese e prindërve nuk e kanë mundësinë e sigurimit të transportit dhe për këtë arsye nxënësit që mësojnë në SHF “26 Korriku” janë të detyruar të ecin çdo ditë nga dy – tre kilometra në njërin drejtim.

Mundësia për të shfrytëzuar transportin falas, i cili është i garantuar për çdo nxënës që udhëton më tepër se dy kilometra nga shtëpia e tij është gjithashtu një opsion i pamundur për këta fëmijë pasi ligji nuk i ka saktësuar sa duhet mundësitë e shfrytëzimit të kësaj të drejte. Ligji nuk e përcakton nëse transporti është i garantuar vetëm për lëvizje shkollë-shtëpi brenda për brenda komunës, sikurse pretendojnë këta të fundit apo edhe për lëvizje të nxënësve nga njëra komunë në tjetrën.

“Nxënësi ka të drejtë për transport falas nëse vendbanimi është larg së paku dy kilometra nga shkolla më e afërt fillore”, thuhet në nenin 61 të Ligjit për arsim fillor. Mirëpo, komunat vlerësojnë se transporti falas vlen vetëm për lëvizjet e nxënësve brenda territorit që ato administrojnë, kurse e argumentojnë këtë me mjetet përkatëse që u ndan Ministria e Arsimit dhe Shkencës parme bllok dotacioneve.

“Deri më 31 gusht të çdo viti, ne si komunë jemi të detyruar që të dërgojmë në MASH informacione për numrin e nxënësve të cilëve duhet t’ju sigurojmë transport. Pra, neve si komunë duhet të sigurojmë transportin e nxënësve për shkollat që janë në komunën tonë”, përgjigjen në Komunën e Shutkës. Sipas tyre, çdo komunë duhet të organizojë transportin e nxënësve të shkollave të veta, ndërsa për çështjen që nxënësit janë banorë të asaj Komune, pohojnë se duhet të jep zgjidhje Ligji. Mos konkretizimi i këtyre situatave në ligj, u jep hapësirë komunave tjera që mos marrin përsipër transportin e nxënësve që nuk janë banorë të tyre.

Ligji për qeverisje lokale, e kufizon detyrimin e shërbimeve publik vetëm në kufijtë e administrimit lokal. Në këtë rast të shkollave që gravitojnë brenda një komune të caktuar, konkretisht të transportimit të nxënësve që janë banorë të saj. Rrjedhimisht, nxënësve të Vizbegut u mbetet të gjenden vetë në zgjidhjet që do të bëjnë, pra që prindërit të dërgojnë vetë fëmijët e tyre në shkollë ose nxënësit të ecin në këmbë deri ë shkollë. Vizbegu, shtrihet në tre komuna dhe jo të gjithë nxënësit janë banorë të Komunës së Shutkës.

Kjo e ka komplikuar më shumë jo vetëm çështjen e transportit publik të nxënësve filloristë por edhe çështjen e përgatitës së një projekti për ndërtimit të një shkollë në atë vendbanim. Vitin e kaluar, ishte Komuna e Butelit, ajo që vendosi të jetë bartëse e kërkesës për nderimin e një shkolle fillore, pasi pjesa dërmuese e nxënësve janë banorë të saj. MASH, u zotua se do ta vendos këtë shollë në prioritete e programit për investime kapitale, mirëpo ndërtimi i saj nuk ka filluar deri tani, pasi nuk është mbyllur faza e tenderimit për përgatitjen e planit të ndërtimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat