Pushimi dimëror në Maqedoni zgjatet edhe një javë për shkak të gripit

Maqedonia

Pushimi dimëror në Maqedoni zgjatet edhe një javë për shkak të gripit

Më: 12 janar 2017 Në ora: 21:58
Ilustrim

Pushimi i gjysmëvjetorit do të zgjatë një javë më shumë në Maqedoni.Nxënësit në bankat shkollore do të ulen më 23 janar. Këtë masë sot e kumtoi Ministri i Shëndetësisë pas takimit me Komisionin për sëmundje ngjitëse, me qëllim të uljes së rrezikut të përhapjes së gripit i cili këtë sezon po merr përmasa të mëdha.

“Kjo masë është më se e nevojshme, duke pasur parasysh tendencën e uljes së numrit të sëmurëve nga gripi të moshës 0-14 vjet, gjatë pushimit. Dhe këtë mund ta konfirmojmë me të dhëna konkrete. Nga fillimi i vitit 2017 deri më sot, sipas sistemit Termini im, janë evidentuar gjithsej 8800 persona të prekur nga gripi, prej të cilëve 1300 janë të moshës 0-14 vjet. Deri më 13 dhjetor 2016 janë evidentuar 13650 pacientë, prej të cilëve 4609 ishin të moshës 0-14 vjet”, deklaroi Nikola Todorov, Ministër i Shëndetësisë.

Kjo masë sipas ekspertëve do të ndikojë dukshëm në uljen e numrit të personave të prekur nga gripi.

Përveç kësaj mase, është vendosur edhe të bëhet dezinfektimi i transportit publik, duke filluar që nga dita e sotme.

Dezinfektimi do të bëhet në orët e natës. Nesër dhe gjatë vikendit do të dezinfektohen të gjitha çerdhet dhe shkollat, para se të fillojë gjysmëvjetori i dytë.

Komisioni për sëmundje ngjitëse rekomandon mbajtjen e nivelit të lartë të higjienës dhe ajrosje sa më e shpeshtë e hapësirave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat