Vazhdon djegia e veturave në Veles, viktimë e radhës drejtori i fabrikës

Maqedonia

Vazhdon djegia e veturave në Veles, viktimë e radhës drejtori i fabrikës

Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 17:21
Ilustrim

Dy makina janë djegur mëngjesin e sotëm, rreth orës 03:30, në Veles, në afërsi të Qendrës për Shëndetësi Publike, te restoranti “Stara Despina”.

Njëra veturë e markës “Passat” ishte në pronë të drejtorit të fabrikës “Maslodajna” , Goran Lazov ndërsa vetura tjetër e markës “Opel Astra” ishte e parkuar pranë dhe pësoi dëme të mëdha.

“Nuk kam pasur asnjëherë telashe me dikë. Nuk mund të them se kush e bëri një gjë të tillë dhe për çfarë arsye”, deklaroi Lazov.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që një gjë e tillë i ndodh Lazovit. Para disa viteve, atij i është djegur ferma e derrave që ndodhej në hyrje të Velesit. Ndërkaq, në qytetin e Velesit, kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje të ngjashme. Para rreth 10 ditëve iu dogj vetura një taksisti të qytetit të Velesit. Paraprakisht ishte djegur edhe vetura e drejtorit të financave të kompanisë “Zhito Vardar”, ndërsa janë djegur edhe dy vetura afër shkollës fillore “Shën Kirili dhe Metodi”.

Përveç këtyre, në qytetin e Velesit janë djegur edhe veturat e drejtorit të policisë Dimce Gjyrov, dhe zëvendës drejtorit të Sektorit për Punë të Brendshme,  Erdinq Memedaliev. Të njëjtin fat patën edhe makinat e kryetarit të dikurshëm të Gjykatës Themelore të Velesit Ordan Llazarovski dhe të gjykatësve Shefshet Ademi dhe Gabriela Gajdova. Të gjitha këto ngjarje kanë ndodhur gjatë tre viteve të fundit. Asnjë nga kryerësit e këtyre veprave ende nuk është zbuluar.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat