Mehmeti: Një ditë një deputet mund të vritet, dhe përsëri askush nuk do japë përgjegjësi

Maqedonia

Mehmeti: Një ditë një deputet mund të vritet, dhe përsëri askush nuk do japë përgjegjësi

Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 08:49
Ish deputetja e BDI-së në Kuvendin e Maqedonisë, Ermira Mehmeti

Ish deputetja e BDI-së në Kuvendin e Maqedonisë, Ermira Mehmeti ka dalë në mbrojtje të deputetit Muhamed Zekiri i cili ka thënë se është sulmuar nga sigurimi i ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov. Në mes tjerash, Mehmeti thotë ”një ditë një deputet mund të vritet, dhe përsëri askush nuk do japë përgjegjësi…”.

“Kur sulmohet një deputet, sulmohet një popull. Në çdo shoqëri përparimtare sulmi ndaj një deputeti merr dënimin më të fuqishëm, Parlamenti si shtëpia e sovranit reagon, ndërsa organet e rendit punojnë në zbardhjen e rastit.

Mehmeti më tej ka vazhduar ”Por, në shoqëritë jodemokratike në të cilat partia e ka kapur shtetin dhe Parlamenti është vetëm edhe një organ nën urdhërat direkte të partisë, sulmet ndaj deputeteve heshten, nuk dënohen, dhe as nuk gjenden autorët e sulmeve.
Populli ka frikë nga ndëshkimi i partisë, mediat kanë frikë nga humbja e reklamave, e analistët nuk duan ‘të përfshihen’ në përplasje, sepse më e mirë është të jenë me turmën sesa të goditen nga partia.
Kështu, ndodh që një deputeti i thyhet makina dhe nuk reagon askush, një deputet shqelmohet jashtë lokalit dhe askush nuk thërritet në përgjegjësi… një ditë një deputet mund të vritet, dhe përsëri askush nuk do japë përgjegjësi… Ky është treguesi elementar se një shoqëri nuk është as e lirë, as demokratike.
Ndërkohë, liderët vazhdojnë refrenin tanimë bajat dhe të mësuar përmendësh për ‘standartet dhe reformat’, e nuk kanë përgjigje se kush qëndron prapa dorës së zezë që sulmon deputetë. Populli i sulmuar ka për ta vetëm një thirrje: mirë do të ishte që të japin përgjigje ndaj këtyre problemeve serioze, e sa për reformat, na ngelet edhe shumë për të shpresuar”, ka shkruar Mehmeti në Facebook. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat