Zaev: Gjuha shqipe do të avancohet, Maqedonia shtet i të gjithëve

Maqedonia

Zaev: Gjuha shqipe do të avancohet, Maqedonia shtet i të gjithëve

Më: 10 mars 2017 Në ora: 15:23
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, ka prezantuar programin qeveritar në një paraqitje të jashtëzakonshme përpara opinionit publik, ndërsa i ka bërë thirrje presidentit Gjorge Ivanov që të mos bllokojë procesin e transferimit të pushtetit, por brenda dhjetë ditëve t’ia japë mandatin.

Zaev tha se programi i partisë së tij, LSDM, dhe i partive shqiptare që janë pjesë e shumicës së re parlamentare, bazohet në platformat parazgjedhore të këtyre subjekteve politike që kanë marrë besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Maqedonia do të jetë shtet i mirë për jetë, shtet i të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike apo politike, shtet i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, romëve, boshnjakëve dhe të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni“, ka deklaruar Zaev, duke prezantuar të gjitha pikat e programit qeverisës si në sferën ekonomike, politike, në gjyqësor, për çështjen e gjuhës shqipe, e sferat tjera.

Zaev tha se programi i qeverisë parasheh miratimin e një ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike i cili do të avancojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

“Të gjithë qytetarëve duhet t’i mundësojmë komunikim të lehtë me të gjitha institucionet. Kjo do të jetë në përputhje me ligjet dhe në bashkëpunim me të gjitha partitë që formojmë shumicën parlamentare. Kjo zgjidhje është për të mirën e të gjithë qytetarëve....Do të ketë zgjerim të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, por do të ketë rregullim të përdorimit edhe të gjuhëve tjera…. Me këtë mundësojnë që të gjithë qytetarët të mund të realizojnë të drejtën kushtetuese. Nëse dikush ka të drejtë të flas në gjuhën e tij nuk humbin të tjerët, përkundrazi fiton Maqedonia”, ka deklaruar Zaev.

Ndërsa sa i përket kartëmonedhave dhe uniformave edhe në gjuhën shqipe, Zaev tha se pas konsultimeve që ka zhvilluar me ekspertë është konstatuar se një zgjidhje e tillë nuk ka bazë kushtetuese, por pavarësisht kësaj kreu i LSDM-së tha se është i hapur që edhe për këtë çështje të bisedohet.

Ai shprehu përkushtimin e qeverisë së re, siç ka thënë, për zbardhjen e të gjitha rasteve që kanë ndodhur në të kaluarën, si incidenti i armatosur në Kumanovë, “Sopoti”, “Monstra” e raste tjera që kryesisht kanë të bëjnë me shqiptarët.

Zaev është zotuar për një sistem gjyqësor të pavarur dhe efikas. partitë do të mbeten jashtë gjykatave. Do të formohet sektor special në gjykatë që do të merret me lëndët që i ka ngritur Prokuroria speciale publike.

“Qeveria e re do të përkushtohet në zbardhjen e plotë të rastit të Kumanovës në maj të vitit 2015 si dhe duke nxjerrë në pah të vërtetën se kush ishin iniciatorët dhe kush ishte prapavija e tërë këtij rasti.

"Do të kërkojmë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për sigurimin e dëshmive relevante rreth këtij rasti. Ministria e Punëve të Brendshme do të angazhohet në dhënien e ndihmës logjistike për organet hetuese dhe gjyqësore për hapjen e rastit “Monstra”, Sopot ”, Brodeci, “Martin Neshkovski”", tha Zaev.

Ai në paraqitjen e tij paralajmëroi edhe një departament të posaçëm gjyqësor që do të merret kryesisht me lwndet që po hetohen nga Prokuroria Speciale.

Zaev tha se programi i qeverisë që ai do të drejtojë ofron jetë dhe prospektin në Maqedoni, për dallim nga politika e Nikolla Gruevskit të VMRO-së që sipas tij ofron ndarje dhe nxitje në shoqëri.

Ai në paraqitjen e tij tha se programi qeveritar si prioritet ka anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, zbatimin e reformave në gjyqësi, zhvillim ekonomik të barabartë dhe liri të mediave.

Gjatë prezantimit të platformës së qeverisë së re të Maqedonisë Zoran Zaev ka theksuar se Maqedonia hapëron drejt një politikbërjeje të re në bazë të standardeve të që vlejnë në vendet e zhvilluara demokratike koha që politikanët të frikësohen nga qytetarët. Në parti patjetër duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve. (REL)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat