Ja çka pret Zaev nga Tusk

Maqedonia

Ja çka pret Zaev nga Tusk

Më: 3 prill 2017 Në ora: 15:46
Zoran Zaev

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nga vizita e sotme e kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk pret thënie precize për dalje nga kriza politike në të cilën ndodhet Maqedonia.

“Besoj se kjo do të jetë në frymë dhe konotacion të njëjtë të asaj që e dëgjojmë nga e tërë bota demokratike tërë këtyre ditëve dhe muajve, e ajo është transferim i qetë dhe i shpejtë i pushtetit, dorëzim i pushtetit, respektim i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, respektim i shumicës së deklaruar dhe të formuar”, deklaroi Zaev, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas shtyrjes së procesit gjyqësor për “Ryshfeti”.

Për ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë javën e kaluar, Zaev tha se shumica parlamentare nuk do të lejojë që gjendja e këtillë të zvarritet.

“Diskutimi rreth Rregullores ekziston, por ai duhet të definohet ashtu siç është përshkruar në nenin 90 të Rregullores, e ajo është që folësi të flasë për pikën e rendit të ditës dhe replikat të jenë në pajtim me nenin 89. Do të thotë le të ketë replika, por replikat duhet të jenë për t’u mënjanuar ndonjë thënie e pasaktë apo t’i jepet vetë thënies vërejtje lidhur me atë se një deputet i caktuar nuk dakordohet me vetë thënien e dhënë. Kjo është e saktë si dita e bardhë. prej këtej duhet të dijë pakica, e para së gjithash kryesuesi me Kuvendin, se shumica e formuar dhe e deklaruar parlamentare ka të drejtë dhe obligim ta ndërmarrë kontrollin ndaj Parlamentit përmes kërkesës së kryetarit të Parlamentit nga radhët e veta dhe përmes kësaj ta marrë përgjegjësinë për udhëheqje të Parlamentit”, tha Zaev.

I pyetur se çfarë masa do të ndërmerren nëse kjo vazhdon në Kuvend, Zaev tha se ekzistojnë alternativa të cilat Kushtetuta, ligjet dhe Rregullorja i lejojnë dhe se shumica do ta marrë nën kontroll udhëheqjen e mbledhjes.

Duke e vlerësuar Manifestin që dje e promovoi VMRO-DPMNE, Zaev tha se bëhet fjalë për arsyetime në mënyrë që të zvarritet procesi i pranim-dorëzimit të pushtetit.

“Procesi duhet të lejohet dhe të lëvizë sipas përshkrimit në Kushtetutë, sipas ligjeve dhe sipas Rregullores në Kuvend, e kjo do të thotë të përfundojë pranim-dorëzimi i pushtetit. Hapat janë të qartë, zgjidhet kryetari i Kuvendit, Kuvendi cakton mbledhje për të zgjedhur Qeverinë me shumicë të deklaruar dhe më tutje gjithçka është e lejueshme që të vazhdohet nga cili do subjekt politik e madje edhe nga ndonjë qytetar i këtij vendi. Që të mund të debatohet, por të gjenden shkaqe të këtilla banale me çfarëdo lloj kërcënimesh të parashtruara joekzistente, se çdo moment dikush do të na sulmojë apo diçka do të na marrë – këto gënjeshtra më nuk kalojnë as tek ata vetë. përfundimisht, është koha e fundit të lëvizin proceset. këtë e presin qytetarët dhe hapi i parë është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, konsideron Zaev.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat