Panairi i librit në Shkup i hapur për vizitorët

Maqedonia

Panairi i librit në Shkup i hapur për vizitorët

Më: 4 prill 2017 Në ora: 12:43
Ilustrim

Prej sot deri më 10 prill, prej orës 10 deri në orën 20, do të jetë i hapur për vizitorët Panairi i 29-të i librit, i cili është ndër manifestimet më të vizituara në Panairin e Shkupit.

Organizatorët për sivjet paralajmëruan pjesëmarrjen e 80 botuesve dhe shitjen e rreth 80.000 librave, disa me zbritje madje deri në 70 për qind.

"Edhe sivjet koncentrim më i madh do të përqendrohet te autorët vendorë dhe të huaj, veprat letrare bashkëkohore dhe klasike, letërsia profesionale, shkencore dhe beletristike, tekstet shkollore dhe doracakët shkollorë, enciklopeditë dhe veprat nga sfera e kulturës dhe artit", kumtoi Panairi i Shkupit, organizator i ngjarjes.

Panairin e librit mbrëmë në mënyrë solemne e hapi zëvendësministri i Kulturës, Dragan Nedellkoviq i cili theksoi se gati për tri dekada paraqet projektin më të madh të realizimeve më të reja krijuese dhe vend kur gjurmohet kuptimi dhe sfidat të cilat i ofron fjala e shkruar.

Krahas ofertës së titujve, vizitorët ditëve vijuese të panairit mund të marrin pjesë në 60 promovime të veprave të reja dhe autorëve (Në Qendrën promovuese në sallën e dytë të panairit), si dhe në debate, tribuna, ndarje të çmimeve.

Risi, sivjet është që pjesa ekspozuese-shitëse e panairit është zgjeruar dhe në sallën e dytë do të prezantohet letërsia për fëmijë dhe të rinj dhe do të ketë kënd edukativ për fëmijë.

Prej të enjtes deri të shtunën (prej më 6 deri më 8 prill) krahas Panairit të librit do të mbahen edhe Ditët e arsimit dhe karrierës dhe Panairi për turizëm "Shkup travel market".

Për të gjitha panairet bileta hyrëse është 30 denarë, gjegjësisht 20 denarë për vizita të organizuara në grupe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat