Nxënësit shqiptarë të Manastirit kërkojnë siguri

Maqedonia

Nxënësit shqiptarë të Manastirit kërkojnë siguri

Më: 12 prill 2017 Në ora: 23:05
Ilustrim

Zhvillimet e fundit politike, me ç’rast në shënjestër të sulmeve janë shqiptarët, në mesin e manastirasve shkaktuan brengosje të thellë për sigurinë e fëmijëve të tyre, të cilët arsimimin e mesëm e vijojnë nëpër shkollat e mesme me mësim në gjuhën maqedonase.

Fund-viti shkollor po afrohet. Së shpejti do të fillojnë ekskursionet e nxënësve të shkollave fillore, por edhe të atyre të mesme. Siç është e njohur, të gjithë nxënësit shqiptarë, në fund të vitit shkollor, respektivisht gjatë afatit regjistrues, edhe pse shpallen tri paralele të arsimit të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, për shkaqe tani për tani të panjohura, regjistrohen nëpër gjashtë qendrat e arsimit të mesëm me mësim në gjuhën maqedonase, duke “injoruar” paralelet shqipe.

Zhvillimet e fundit që përfshinë vendin, nuk lënë anësh as nxënësit e shkollave të të gjitha niveleve, të cilët u manipuluan nga politika ditore, filluan ta shfaqin urejtjen ndëretnike nëpër protestat që po mbahen për çdo ditë, në të cilat, me pretekst kinse kundër Deklaratës shqiptare, kërkojnë vdekjen e shqiptarëve. Ajo pjesë e nxënësve maqedonas që iu është nënshtruar politikës ditore, pa fijen e turpit shprehen edhe kundër shokëve të vet shqiptarë. Edhe më provokuese ishte shembulli me katër nxënësit e shkollës të mesme të mjekësisë, të cilët kishin tentuar ta djegin Shtëpinë e Alfabetit, në mbrojtje të të cilëve u pozicionua edhe drejtoresha e shkollës në fjalë, ashtu siç u pa me pankartë në duar, në të cilin shkruante “Smrt za shiptarite”.

Shkolla e mesme ekonomike vite me radhë ka qenë më e kapshme për shqiptarët, ku edhe janë regjistruar dhe po regjistrohen numri më i madh i gjysmë-maturantëve shqiptarë. Këtyre ditëve, sipas rrëfimeve të nxënësve po përfundojnë përgatitjet për ekskursionet vjetor, kurse maturantët me të madhe përgatitet edhe për ekskursionin disa ditor, por edhe për mbrëmjen e maturës. Edhe shqiptarët e klasave tjera, por edhe ata maturantët, sipas rrëfimeve të tyre, duke marrë parasysh zhvillimet marrin përmasa brengosëse, duke u shprehur se ndodhen para shumë dilemave, të shkojnë apo të mos shkojnë në këto ekskursione, të shkojnë apo të mos shkojnë në Mbrëmjen e Maturës? Po të këtij mendimi janë edhe nxënësit e shkollës së Mesme “Taki Daskallo”.

Falë drejtimit të Gjimnazit të përgjithshëm dhe drejtimeve tjera të arsimit të orientuar, ka regjistruar një numër të madh të nxënësve shqiptarë. Edhe këta shprehen se janë në dilema të thella lidhur me shkuarjen apo mos-shkuarjen në ekskursion apo në mbrëmjen e maturës, edhe pse dëshirojnë që çastet e fundit të jetës shkollore t’i kalojnë me bashkënxënësit e tyre maqedonas. Edhe pse biseduam me shumë nxënës, që të gjithë për shkaqe të sigurisë, nuk dëshironin të përmenden emrat e tyre. Doajeni i arsimit shqip në Manastir, Ramiz Arsllani, i brengosur thellë nga gjithë kjo ç’po ndodh rreth nesh, shfaq brengosje edhe për fatin e nxënësve shqiptarë. Ai është i mendimit se, për momentin zhvillimet e fundit nuk lejojnë që nxënësit shqiptarë të festojnë apo të udhëtojnë me nxënësi maqedonas, edhe pse shumica prej tyre kanë qëndrim pozitiv ndaj shqiptarëve. “Unë jam skeptik kur bëhet fjalë për situatën e nxënësve shqiptarë si në shkollën fillore, ashtu edhe në ato të mesmet, nuk do të kisha lejuar që nipi apo mbesa ime të largohet nga qyteti”, thotë Arsllani. Sido që të jetë dhe sido që të ndodhë, nxënësit, por edhe shqiptarët tjerë të Manastirit janë në një dilemë dhe pritje se çfarë mund të ndodhi sot apo nesër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat