Ivanov, Ahmeti e Zaev urojnë kryetarin e ri francez, Emmanuel Macron

Maqedonia

Ivanov, Ahmeti e Zaev urojnë kryetarin e ri francez, Emmanuel Macron

Më: 8 maj 2017 Në ora: 15:13
Emmanuel Macron

Krerë politik të vendit kanë uruar kryetarin e ri të Francës, Emmanuel Macron, për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale kundër kandidates Marie Le Pen.

Në emër të qytetarëve të Maqedonisë, Macron është uruar nga kryetari Gjorge Ivanov, duke theksuar synimet për përforcimin e marrëdhënieve miqësore dypalëshe.

“Më paraqet nder dhe kënaqësi të veçantë, në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal, T’ju dërgoj urime të përzemërta me rastin e zgjedhjes Tuaj për president të Francës, me dëshira për kryerjen me sukses të këtij funksioni me përgjegjësi në dobi të prosperitetit dhe mirëqenies të popullit miqësor francez. Fuqimisht jam i bindur se vizioni Juaj modern dhe karakteri koheziv do të paraqesin garanci për progres të mëtejshëm të përgjithshëm të Republikës së Francës”, thuhet në urimin e Ivanovit.

Zoran Zaev, lider i LSDM-së shprehet se respekton dëshirat për demokraci dhe Evropë të bashkuar, që sipas tij, është e ardhmja edhe e Maqedonisë.

”I vlerësojmë dhe përshëndetim zotimet që i përqafoni për liri dhe demokraci në një Evropë të Bashkuar, që është kurajo shtesë për vendet kandidate të BE-së, siç është edhe Maqedonia”, thekson Zaevi.

Ali Ahmeti, lider i BDI-së ka uruar kryetarin e ri të Francës, Emmanuel Macron, duke shprehur se përshëndetin vendimin e popullit francez për zgjedhje të qartë të vlerave evropiane.

”Duke mirëpritur me kënaqësi zgjedhjen Tuaj në postin President i Republikës franceze, më lejoni që në emrin tim dhe të të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, t’Ju shpreh urimet më të përzemërta Juve dhe popullit francez për zgjedhjen e qartë për vlerat evropiane.

Integrimi euro-atlantik mbetet alternativa e vetme për Maqedoninë dhe shpreh bindjen e plotë , se Ju do të kontribuoni në forcimin e perspektivës evropiane për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Përëndimor.

Duke shprehur edhe një herë urimet e mia për Ju dhe vendin tuaj, Ju lutem pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, uron Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat