Lika: Zaevi do të dalë me qëndrim më të mirë për Kosovën

Maqedonia

Lika: Zaevi do të dalë me qëndrim më të mirë për Kosovën

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 15:55
Hazbi Lika

Kosova ka kryer aktin më të lartë mundshëm me pavarësinë e saj, aq më shumë kur e kanë njohur gjitha shtetet e botës, ka theksuar në intervistën në Zig-Zag të Art Channel, zëvendëskryeministri për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve Hazbi Lika, pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev lidhur me qëndrimin e fundit se Maqedonia ka gabuar që ka votuar ‘”për” anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Ne si shtet e kemi njohur atë pas shpalljes së pavarësisë, këto çështje tjera si në UNESCO apo organizma tjerë ndërkombëtar, është një akt i kryer, arsyet se pse ka menduar ashtu Zaev besoj se do të dalë me një qëndrim pak sa më të mirë”, ka thënë Lika.

Duke komentuar fillimin e punës së Qeverisë, Lika ka thënë se fillimi është i mirë dhe se “ka një tendencë për bashkëpunim dhe besoj se ky bashkëpunim duhet të intensifikohet edhe më tutje, gjithë faktorët t’i kontribuojnë punës që përpiqemi të arrijmë”.

“…Zaev ka hapur dyert për të gjithë, ka çel dyert edhe për ministrat tjerë të koalicionit qeveritar, duhet të jemi të vëmendshëm të shfrytëzojmë këtë mundësi në mënyrë racionale, të realizojmë atë program para elektoratit dhe të realizojmë ato pa pengesa”, ka thënë Lika. Ai më tej ka theksuar se do të miratohet Ligj për gjuhën shqipe. “MO është një dokument i cili në vazhdimësi prodhon tema për të biseduar, ajo erdhi si një rezultat i një konflikti më 2001, ndërsa u mbështet si dokument real nga ndërkombëtarët… Nuk duhet të kufizohemi, ajo është inkorporuar në Kushtetutë dhe i vetmi ligj ka mbetur pa u miratuar është ai për gjuhën shqipe. Mendoj se do t’ia dalim, mendoj se koha nuk duhet të jetë pengesë për arritjen e këtij qëllimi. Me rëndësi është se palët janë marrë vesh dhe gjitha platformat e partive kanë harmonizuar një platformë të vetme që është edhe program qeverisës”, ka thënë Lika.

Lidhur me dhunën e 27 prillit, Lika theksoi se opozita nuk ka argumente dhe se nevojitet epilog gjyqësor. Kur përmenda opozitën, ka thënë zëvendëskryeministri Lika, mendoj “të paktën për ato pika që na bashkojnë të ulemi t’i bisedojmë dhe t’i votojmë”.

“Pasi përveç projekteve me shumicë të thjeshtë ka edhe projekte që kërkojnë shumicën e avancuar, apo 2/3. Partitë opozitare nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë pa pasur fakte të besueshme. Sa u përket kritikave, është shumë normale dhe kjo duhet të shndërrohet në luftë për të sjell projekte më të mira”, ka thënë Lika.

Sipas tij, ngjarjet e 27 prillit kanë ndikuar në ekonominë e vendit për të keq dhe se duhet të ketë epilog gjyqësor për ngjarjet e 27 prillit, ndërsa ka theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Zëvendëskryeministri Lika më tej ka theksuar se do punohet  konkretisht në sistemimin e 1800 administratorëve.

“Kompetencat e sektorit që përfaqësoj unë dihet se ka ligj sesi janë rregulluar. E mira është se ka qasje në gjitha instancat e shtetit, pra informacione që kanë të bëjnë me adminsiratën publike dhe të bëjmë projekte në bazë të informatave që kemi marrë”, ka thënë mes tjerash Lika.

“Fati i 1800 administratorëve.., ne jemi në punë e sipër për të marrë informata rreth vendeve të lira me qëllim të shpërndarjes së tyre sa më shpejt, sepse kjo metodë që është zbatuar deri më tani nuk është e mirë as për ne, ashtuqë do të punojmë konkretisht në atë drejtim, do kërkojmë nga institucionet e shtetit dhe mendoj se detyrimisht të shtojmë vendet e punës që t’i sistemojmë këto 1800 adminstratorë”, ka thënë Lika.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat