Diaspora nga SHBA apel Qeverisë së re: Eliminoni zhvillimin dhe investimet e pabarabarta në Maqedoni

Maqedonia

Diaspora nga SHBA apel Qeverisë së re: Eliminoni zhvillimin dhe investimet e pabarabarta në Maqedoni

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 20:11
Ministri Ademi theksoi se Qeveria e re do të angazhohet për kushte të barabarta për investime, investimet e diasporës të kategorizohen si të veçanta si dhe krijimi i një fondi të diasporës.

Ministri i Diasporës, Edmond Ademi pranoi aktivistë të diasporës shqiptare nga SHBA, Mamut Skenderi, anëtar i bordit drejtues në Odën Amerikano-Izraelite në Çikago si dhe Nazim Alimi, veprimtar i dalluar dhe që është pjesë e Shoqatës Shqiptaro – Amerikane. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Nebi Hoxha, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perendimore.

Ministri Ademi theksoi se Qeveria e re do të angazhohet për kushte të barabarta për investime, investimet e diasporës të kategorizohen si të veçanta si dhe krijimi i një fondi të diasporës.

“Shkëmbyem ide dhe mendime rreth aktiviteteve të ardhëshme. Dua të veçoj, ate që u dakorduam për një mundësi që me përkrahjen e Odës Amerikano-Izraelite në Çikago, vitin 2018 të organizohet një konference ekonomike dedikuar zhvillimit dhe investimeve të diasporës në Republikën e Maqedonisë.”, theksoi ministri Ademi.

Mamut Skenderi nga Oda Ekonomike Amerikano – Izraelite theksoi se Qeveria e re duhet të ketë qasje të re ndaj diasporës, pasi që qeveritë e deritanishme kanë qenë përjashtuese për diasporën shqiptare.

Image

“Ne kërkojmë që Qeveria e re të angazhohet për një faqe të re me diasporën. Të krijohen kushte që ajo të ndjejë siguri për investime dhe për realizimin e projekt – ideve zhvillimore në vendlindje. Deri tani kemi qenë dëshmitarë se Qeveria ka qenë diskriminuese ndaj zonave shqiptare, sa i përket investimeve, pasi që çdo investim i huaj është fokusuar në pjesën lindore dhe aspak apo minimalisht në zonën perëndimore”, theksoi Skenderi. Sipas tij, nëse nuk ka barazi ekonomike, nuk ka as barazi politike. Ai përmendi edhe idenë për mbajtjen e një konference ekonomike në Çikago gjatë vitit të ardhshëm për investime në Maqedoni, e cila do të kishte si organizator Odën Ekonomike Amerikano – Izraelite.

Veprimtari Nazim Halimi thekson se duhet të krijohen kushte dhe mundësi të barabarta për zonat shqiptare për investime, pa pasur diskriminim. Qeveria e re sipas tij, duhet të largojë praktikat e deritanishme që kanë qenë shumë të dëmshme në raport me diasporën.

“Ne kemi një përvojë të keqe se si është vepruar me diasporën, ku është mashtruar, ka pasur keqpërdorim të fondeve të saj dhe kanë dështu projektet për investime, për shkak të korrupsionit. Kjo duhet të hiqet dhe të krijohen kushte dhe besim, që diaspora të investojë”, theksoi Halimi.

Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha tha se kemi potencial tek diaspora shqiptare. Sipas tij, diaspora nuk duhet të shihet vetëm si para, por të vlerësohen resurset e saj profesionale.

Duke prezantuar Maqedoninë si vend shumë atraktiv për investime, kryetari i OEMVP, Hoxha vlerësoi se është shumë e rëndësishme që këto mundësi të shfrytëzohen më tepër nga diaspora jonë.

“Qëllimi i takimit ishte që të pranishmit të njihen me faktorët kyç që kanë ndikuar në suksesin e investimeve të deritanishme të diasporës, si dhe të informohen për nevojat e Diasporës me qëllim që të realizohet një numër akoma më i madh i investimeve të suksesshme dhe projekteve të përbashkëta”, theksoi Nebi Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat