Heshtja e BDI-së për Shkupin nxit dyshime për marrëveshje me LSDM-në

Maqedonia

Heshtja e BDI-së për Shkupin nxit dyshime për marrëveshje me LSDM-në

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 18:47
Ahmeti Grubi

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk e ka zyrtarizuar ende asnjë emër për të kandiduar në Komunën e Shkupit. Siç mësohet jozyrtarisht nga një burim i lartë në partinë BDI, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti janë në negociata intensive që duhet të rezultojnë me mbështetje të kandidatit të LSDM-së nga ana e BDI-së që në raundin e parë.

Kërkesa e Zaev është me qëllim për të përdorur modelin zgjedhor në Maqedoni dhe të fitoj një kryetar komune që në raundin e parë.

Nëse marrëveshja arrihet, kjo do të jetë hera e parë në historinë e Maqedonisë që partia më e madhe shqiptare nuk ka kandidat për kryetar komune, edhe pse më shumë se 20% e shqiptarëve jetojnë në Shkup.

Kjo do të thotë se shqiptarët nuk do të jenë në gjendje të ofrojnë mbështetje për një kryebashkiak shqiptar në Shkup, gjë që është e barabartë me një katastrofë kombëtare.

Sipas të njëjtit burim, motivi kryesor i Ahmetit për t’u pajtuar me kërkesën e Zaevit është që BDI-ja të shmang një përballje e drejtpërdrejtë me partinë BESA në Shkup dhe një disfatë serioze.

Për komunat më të mëdha të vendit partitë tanimë kanë zyrtarizuar kandidatët, ndërkaq nuk mungojnë as kandidaturat e tyre për qytetet më të vogla. Por, për Shkupin ende nuk është bërë i ditur emri që BDI do ta kandidojë.

Së fundmi Lëvizja Besa ka publikuar emrin e kreut të saj Bilall Kasamin si kandidat në komunën e Tetovës ndërkaq Aleanca në Tetovë do të dalë me Adnan Nezirin.

Në garën për të parin e komunës së Tetovës, BDI-ja do të ketë kryetaren e deritanishme të këtij institucioni, Teuta Arifin, ndërkaq PDSH-ja e Menduh Thaçit në Tetovë do të garojë me Bardhyl Dautin. Pos partive shqiptare, VMRO-ja do të garojë në Tetovë me kandidatin e saj Goran Manajllovski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat