Maqedoni, shqiptarët nuk bëjnë kërkesa për shkolla të reja

Maqedonia

Maqedoni, shqiptarët nuk bëjnë kërkesa për shkolla të reja

Më: 9 shtator 2017 Në ora: 23:23
Ilustrim

Komunat e mëdha rurale, të banuara kryesisht me shqiptarë, nuk kanë ende shkolla të mesme edhe përkundër faktit se nga vitit 2007 ky nivel shkollimi është i obligueshëm për të gjithë, shkruan gazeta KOHA.

Në Maqedoni, jo që mungojnë shkollat e mesme rurale, përkundrazi të tilla ka në Draçevë, Ilinden apo prej para dy viteve edhe në Saraj të Shkupit; në Rostushë dhe Vrapçisht të Gostivarit; Zhitoshë të Prilepit; Likovë të Kumanovës, Zhupë të Dibrës; Makedoniski Brod të Krushevës; Makedonska Kamenica të Dellçevës.

Shumica e këtyre komunave ku gravitojnë shkollat në fjalë nuk kanë më tepër se gjashtë – tetë mijë banorë, ndërsa kapacitetet për të formuar paralelet është shkollave të mesme shpesh herë nuk arrijnë të plotësojnë as numrin e paraparë për dy paralele.

Ndërkohë që në komuna me mbi 24 mijë banorë, si Zhelina e Tetovës, apo me mbi 19 mijë banorë si Studeniçani e mbi 17 mijë banorë si Haraçina e Shkupit, nuk kanë ende shkolla të mesme. Meqë këtu nuk ofrohet mundësia e shkollimit në nivelin e mesëm, të detyrueshëm për të gjithë, me mijëra nxënës të moshës përkatëse udhëtojnë çdo ditë deri në shkollat e qyteteve më të afërta.

Iniciativat dhe kërkesat për themelimin e shkollave të mesme si në Zhelinë, Haraçinë apo Studeniçan, sigurisht që nuk kanë munguar. Mirëpo, duket se organet kompetente të pushtetit qendror dhe lokal, konkretisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe komunat gjegjëse nuk e kanë marrë edhe aq seriozisht çështjen e shkollave të mesme.

Ose, në pjesën dërmuese të atyre që duhet të sjellin vendimet dhe të bëjnë presion për realizmin e ideve të këtilla dominon bindja se “shqiptarët nuk është mirë të kenë shkolla rurale”.

Pra, sipas tyre, “nxënësit duke vajtur çdo ditë deri te shkollat e qytetit, do të socializohen më shpejt dhe më tepër se sa po të mësonin në shkollat e fshatit”. Megjithatë, mungesa e këtyre shkollave në shumë vende rezulton me mos përfshirjen aspak në nivelin e shkollave të mesme, sidomos të vajzave.

Ka sigurisht edhe arsye të tjera, ndonjëherë me karakter politik, por për cilëndo qoftë prej tyre pësojnë nxënësit. Zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sikurse pohon për KOHA zëvendësministri Visar Ganiu, nuk është procesuar deri tani asnjë kërkesë nga ana e komunave Haraçinë, Studeniçan dhe Zhelinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat