Ja në cilat komuna do të garojë BDI

Maqedonia

Ja në cilat komuna do të garojë BDI

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 14:03
BDI

Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor i BDI-së Fatmir Besimi ka theksuar se mbrëmë Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, ka përcaktuar kandidatët për kryetar komunash si dhe listat e këshilltarëve për pushtetet vendore në komunat ku  marrim pjesë.

BDI, sipas tij,  në zgjedhjet e 15 tetorit  do të garojë me 18 kandidatë për kryetar të komunave  edhe atë në Komunën e Likovës,Haraçinës, Çairit, Shuto Orizarës, Studeniçanit, Sarajit, Zhelinës, Tearcës,  Jegunovcës, Tetovës, Bogovinës, Vrapçishtit, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës, Pllasnicës,  Dollnenit, dhe në komunën e Strugës. Në Bërvenicë mbështesim kandidatin e pavarur.

“Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje merr pjesë me 35 lista këshilltarësh nga të cilat tre lista janë të përbashkëta me parti politike shqiptare  – në Ohër, Manastir dhe në Gazi-Babë – në dy të parat – listat kryesohen nga  kandidatët tanë. Me një fjalë, ne në këto gara hyjmë me 729  kandidatë për këshilltarë komunal. Listat janë reflektim i vullnetit të qytetarëve nëpër komuna dhe rezultat i konsultimeve të gjera me degë e këshilla vendorë. Kandidatë posedojnë kredibilitet personal dhe profesional dhe vizion të qartë për të ardhmen e komunave. Takimi i sotëm  është i  pari e Shtabit Qendror me kandidatët për kryetarë dhe kryesuesit e listave. Takimi është në funksion të mir organizimit të zgjedhjeve – në sensin që ato të jenë të lira, të ndershme, të besueshme e demokratike, konform standardeve ndërkombëtare”, tha Besimi.

Besimi vlerësoi se një vëmendje e veçantë i kushtohet ofertës sonë, gjegjësisht Programit  për këto zgjedhje, për shkak se vlerësojmë se zgjedhjet e 15 tetorit janë tejet te rëndësishme: qytetarët zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre për pushtetin lokal, në mënyrë që t’u japin zgjidhje kërkesave dhe çështjeve nga përditshmëria e tyre.

Përndryshe, ka skaduar afati i dorëzimi të listave për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15  tetor ku do të zgjedhen kryetarë komunash dhe këshilltarë në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Komisionet zgjedhore të Komunave në afat prej 48 orëve nga pranimi i listës së kandidatëve duhet të konfirmojnë se a është dorëzuar në afat përkatës dhe a është përbërë në pajtueshmëri me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Listat e konfirmuara të kandidatëve duhet të dorëzohen te Komisioni Shtetëror Zgjedhor ku do të konfirmohet renditja në listën e vetme të kandidatëve. Sipas afatit për veprime zgjedhore, shorti për zgjedhejt e gjashta lokale duhet të mbahet me 18 shtator. Do të votohet në 3.480 vendvotime.

Më 25 shtator fillon zyrtarish fushata parazgjedhore për rrethin e parë e cila dhe do të përmbyllet dy ditë para zgjedhjeve të 15 tetorit, ndërsa më 14 tetor do të jetë heshtje parazgjedhore. Fushata për rrethin e dytë do të fillojë pas votimit të rrethit të parë dhe do të përmbyllet më 27 tetor. Votimi për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat