Grubi-Vinton: Maqedonisë nuk i nevojiten edhe një palë zgjedhje

Maqedonia

Grubi-Vinton: Maqedonisë nuk i nevojiten edhe një palë zgjedhje

Më: 1 nëntor 2017 Në ora: 11:58
Artan Grubi- Lujza Vinton

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Artan Grubi, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit, u takua me znj. Lujza Vinton, përfaqësuese speciale e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë.

Znj. Vinton dërgoi urime për realizimin e shkëlqyer të zgjedhjeve lokale të cilat i vlerësoi si kompetitive me ç’rast janë respektuar liritë themelore të njeriut të cilat kontribuojnë në përmirësimin e procesit demokratik në vend. Shkrehu gatishmëri të ndihmojë në punën e Komisionit për Çështje Evropiane, i cili do t’i shqyrtojë projektet reformuese dhe e përshëndeti mënyrën konsensuale të veprimit në kornizat e këtij trupi kuvendor, posaçërisht miratimin e njëzëshëm të Deklaratës për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese në NATO dhe BE.

Deputeti Grubi në kontekst të procesit zgjedhor theksoi se zgjedhjet kaluan në atmosferë të qetë, të drejtë dhe garuese, që ishte konfirmuar në raportet preliminare të OSBE/ODIHR-së, të mbështetur nga Delegacioni i BE-së, Ambasada e SHBA-së, si dhe nga mbikëqyrësit vendorë relevantë.
Grubi e theksoi kënaqësinë e tij nga rezultatet e zgjedhjeve lokale që paraqet vërtetim të përcaktimeve programore të koalicionit qeveritar për reforma thelbësore, integrim euroatlantik dhe barazi në shoqëri.

Në lidhje me mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Grubi theksoi se Republikës së Maqedonisë për momentin nuk i nevojiten edhe një palë zgjedhje. Theksoi se periudha para nesh, duhet të shfrytëzohet që të jepen rezultatet nga konceptet e premtuara programore, ndërsa institucionet të orientohen në agjendën reformuese. Kapacitetet shoqërore në mënyrë edhe më aktive t’u përkushtohen masave dhe aktiviteteve që janë në drejtim të mënjanimit të të gjitha vërejtjeve dhe pengesave për proceset eurointegruese të Republikës së Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat