Zaev: Të punohet bashkë me qytetarët, vjen koha e të majtës

Maqedonia

Zaev: Të punohet bashkë me qytetarët, vjen koha e të majtës

Më: 18 nëntor 2017 Në ora: 14:47
Zoran Zaev

Evropës i nevojitet e majta, posaçërisht kur pas shumë viteve, e djathta në disa vende u zhvillua radikalisht, me ideja kuazipatriotike. E majta duhet ta ketë vendin e saj në Evropë, e kjo varet nga partitë e majta, por edhe nga qytetarët, shoqëria qytetare, sindikatat, punëtoritë, tha mes tjerash kryeministri Zoran Zaev, në sesionin e mbrëmshëm të plenumit “Drejt rimëkëmbjes së të majtës në Evropën Juglindore”.

Nuk mjafton vetëm të debatohet, tha Zaev, por duhet të ndërmerret aksion dhe të ndahet përvoja nga Maqedonia, ku qytetarët i dhanë përkrahje të majtës, e cila, siç tha, paraprakisht u bashkua me shoqërinë qytetare.

“Puna kryesore për suksesin tonë është thirrja që të bashkohemi të gjithë, të zgjatim dorë, pa dallim se kush çka fiton nga suksesi, për shkak të qytetarëve, ardhmërisë, atdheut, për shkak të obligimit që të ndërmerret diçka. Me projektin ‘E vërteta për Maqeodninë’ i motivojmë qytetarët në bashkim. Ky projekt e nxjerri në sipërfaqe veprimin kriminel të pushtetit të atëhershëm. Ndërtuam koalicionin ‘Qytetarët për Maqedoninë’. Vijoi Kampi i lirisë, pastaj revolucioni laraman, avanconin qytetarët”, tha mes tjerash Zaev.

Ai u përqëndrua edhe në politikat e shtetit për periudhën e ardhshme dhe me këtë rast tha se ato mbështeten në katër shtylla: shteti për të gjithë, ligji të vlejë për të gjithë njëjtë, një shoqëri për të gjithë, kthimin e parave te qytetarët, dhe në ndërtimin e miqësisë me fqinjët dhe në rajon.

Informoi se Qeveria e Maqedonisë veçmë ka miratuar Ligj për pagë minimale, për dëmshpërblimin e punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara, ka zvogëluar disa tatime.

“Të gjitha masat janë majtiste dhe kanë një qëllim përfundimtar: vende të reja të punës, paga më të larta dhe krijimin e klasës stabile të mesme”, tha kryeministri i Maqedonisë.

Sesioni i plenumit “Drejt rimëkëmbjes së të majtës në Evropën Juglindore”, u mbajt në kuadër të konferencës në organizim të fondacionit Friedrich Ebert në Sarajevë, me temë “Gjendja në rajon – vlerësimi nga perspektiva socialdemokratike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat