Memeti: Tre deputetë të VMRO-së u arrestuan në mënyrë të paligjshme

Maqedonia

Memeti: Tre deputetë të VMRO-së u arrestuan në mënyrë të paligjshme

Më: 28 dhjetor 2017 Në ora: 14:23
Avokati i Popullit Ixhet Memeti

Avokati i Popullit Ixhet Memeti ka konstatuar se tre deputetë të VMRO DPMNE-së, Kërsto Mukovski, Luben Arnaudov dhe Zhaklina Peshevska janë arrestuar në mënyrë të paligjshme, duke gëzuar ende imunitetin.

Pas kontrolleve të shumta nëpër dokumentacionet e policisë, Ixhet Memeti ka ardhur në përfundim se pjesëtarët e MPB-së kanë shkelur rregulloren për veprim të policisë dhe kërkon sanksionimin e zyrtarëve policor që nuk e kanë pyetur asnjë prej të akuzuarve nëse kanë imunitet, që është një praktikë bazë gjatë arrestimit.

“Avokati i Popullit konstaton se me arrestimin e deputetëve të cilët gëzojnë imunitet, u është shkelur e drejta e imunitetit të deputetit dhe parimi i prezumimit të pafajësisë pasi nuk janë respektuar normat e lartpërmendura nga ana e policisë. Deputetët, me pranga në duar janë shoqëruar deri në Gjykatë, ku pas një qëndrimi të gjatë janë liruar, ndërsa masa e paraburgimit u është shqiptuar pas disa ditësh pasi që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë vendosi për heqjen e imunitetit të deputetëve”.

Memeti njoftoi gazetarët se policia ia ka dorëzuar 38 dokumente zyrtare lidhur me arrestimin e deputetëve, por në formë të përgjigjes me shkrim i kanë thënë se policia ke ndjekur vetëm Ligjin për procedurë penale, por se në këtë ligj mund të thirret vetëm gjykata e jo edhe policia e cila e ka rregullohen e vet për veprim.
Pjesën tjetër të fajit Memeti e hedh tek gjykatësit e procedurës paraprake Vesna Dimishkova dhe Nenad Saveski të cilët duke e ditur se deputetët kanë imunitet, kanë lëshuar urdhrin për arrest dhe paraburgim.

“Përse gjykata ka lëshuar urdhër për arrestimin dhe kontrollin e personave të cilët gëzojnë imunitet, pa mos u hequr paraprakisht i njëjti, në përputhje me atë që është përcaktuar në aktet normative”

Avokati i Popullit apeloi deri tek gjykata që në të ardhmen, gjatë miratimit të vendimeve gjyqësore, të respektoj të drejtën e imunitetit pasi kjo nuk është hera e parë që të shkilet kjo e drejtë tejet e rëndësishme. Apeloi edhe deri tek policia që të mbajë llogari se kush gëzon imunitet pasi kështu do të kthehej besimi në drejtësi dhe gjyqësor dhe në rregull në shoqëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat