Zaev: Të bashkuar, në vitin 2018 ta realizojmë vizionin për shtet bashkëkohor, perspektiv dhe me ekonomi të zhvilluar

Maqedonia

Zaev: Të bashkuar, në vitin 2018 ta realizojmë vizionin për shtet bashkëkohor, perspektiv dhe me ekonomi të zhvilluar

Më: 30 dhjetor 2017 Në ora: 11:08
Zoran Zaev

Vitin që lëmë prapa do ta kujtojmë me suksesin më të madh të qytetarëve të këtij vendi. Qytetarët liridashës çliruan një shtet të robëruar. U ballafaquam me sfidat dhe u realizua një kthesë e madhe. Ndodhi ndryshimi. Maqedonia u stabilizua dhe lëvizi drejt rritjes dhe zhvillimit, tha kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij të fundvitit.

“Me ndryshimin e pushtetit, qytetarët porositën qartë se presin praktikë të re dhe politika të reja në udhëheqjen e shtetit. Ai është parakushti kryesor për kthimin e besimit në institucione dhe qeverisë si instrument politik. Faktor kyç për krijimin e besimit është të arrihet sundimi i drejtësisë. Shteti ligjor krijon siguri për çdo qytetar në veçanti dhe për shoqërinë në përgjithësi”, tha Zaev.

Zaev poashtu tha se vendosja e qytetarit në qendër të vëmendjes nënkupton përmirësim i vazhdueshëm i kushteve për jetë dhe nxitja e sigurisë së qytetarëve, duke thënë se të jesh i sigurt do të thotë të jesh i çliruar nga frika, nga pasiguria ekonomike dhe e llojeve tjera.

“Të gjithë duhet të japim kontributin tonë për reformat dhe kohën e re për të cilën arritëm pajtim: Zero tolerancë për korrupsionin dhe zero tolerancë për shkeljen e të drejtave të njeriut – dhe asgjë më pak”, tha Zaev.

Në lidhje me atë se çka na pret në vitin 2018, Zaev tha: “Presim që Maqedonia të jetë anëtari i 30-të i NATO-s. Presim rekomandim të pastër për fillim të negociatave me BE-në. Brukseli e di që ne kemi argumente mjaft të mira për këtë pritje tonën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat