Ja si i drejtohen gazetarët grekë Zoran Zaevit

Maqedonia

Ja si i drejtohen gazetarët grekë Zoran Zaevit

Më: 31 dhjetor 2017 Në ora: 18:44
Zoran Zaev

Edhe në kohë festash, një natë para ndërrimit të motmoteve, kryeministri Zoran Zaev mbetet i përkushtuar t’i përmirësojë marrëdhëniet me Greqinë. Ai mbrëmë në Selanik darkoi me kryetarin e këtij qyteti, Janis Butaris.

Ata nuk u prononcuan rreth bisedës së takimit, por sipas mediave greke, në darkën triorëshe Zaev është shprehur optimist se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 do të zgjidhet çështja me emrin, ndërsa kryetari i Selanikut, Butaris konfirmoi gatishmërinë e tij për bashkëpunim. Por si dukej, gazetarët grekë nuk e kishin idenë se kush është Zaev, meqë para se të hyjë në darkë, i drejtoheshin me “zotëri president”, “Presidenti Zaev”, “zotri President Zaev”.  E nga ana tjetër, Zaev u përgjigj në anglisht me disa lapsuse gjuhësore:
“Kjo është privat, Patçi vit të ri”

Pas takimit, Zaev theksoi se ishte i nderuar që darkoi me anëtarët e kabinetit të Butaris-it.

“Për mua është kënaqësi e madhe që darkova me kryetarin e Komunës së Selanikut dhe kabinetin e tij. Unë gjithashtu dua të shfrytëzoj rastin që t’u uroj gëzuar Vitin e Ri gjithë qytetarëve të Greqisë dhe qytetarëve të Selanikut. Gjithmonë është kënaqësi të jem këtu”, tha Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Selanikut theksoi se takimi ishte privat.

“Kishim një darkë shumë të këndshme me zotëri Zaevin. Darka ishte thjesht e natyrës private, sepse kemi lidhje private dhe shpresoj se së shpejti do të na vizitojë përsëri”, u shpreh Kryetari i komunës së Selanikut, Janis Butaris.

Në lidhje me marrëdhëniet mes Greqisë dhe Maqedonisë, ka shfaqur qëndrimin e tij edhe ish-kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu. Ai për të përditshmen greke “Etnos” ka thënë se është mirë që qeveria maqedonase ka kuptuar se irredentizmi çon drejt një rruge qorre, dhe ka shtuar se nëse çështja e emrit lihet mënjanë për një çast, Shkupi dhe Athina janë aleatë natyral.

“Nëse rrethanat e tanishme lejojnë një zgjidhje të kënaqshme, situata më e gjerë gjeopolitike është një arsye shtesë të ecet përpara. Shkupi, sikur të lihet emri në një anë, është aleat i ynë i natyrshëm. Zgjedhja e problemit, do të na mundësojë që përsëri ta përdorim pozitën tonë strategjike në Ballkan”, tha Jargos Papandreu, ish-kryeministër i Greqisë.

Ndryshe, ndërmjetësuesi i bisedimeve mes Greqisë dhe Maqedonisë, Metju Nimic, ka njoftuar se qysh në janar do të ketë takim me negociatorët e të dyja vendeve, ndërsa diskutimet do të vazhdojnë çdo muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat