Ja si qëndron pozicioni i shqiptarëve në Qeverinë Zaev

Maqedonia

Ja si qëndron pozicioni i shqiptarëve në Qeverinë Zaev

Më: 6 janar 2018 Në ora: 19:59
Qeveria Zaev

Me zgjedhjen e ministrit të ri të Shëndetësisë, Venko Filipçe, pozicioni politik i partive shqiptare është ulur ndjeshëm në Qeverinë e Maqedonisë, ndërsa kjo situatë nuk ka qenë që nga zgjedhjet e vitit 2002.

Edhe në zgjedhjet e vitit 1994 dhe 1998, shqiptarët kishim më shumë ministri ndonëse nuk ishin të kyçur në administratën shtetërore dhe në organet gjyqësore si pas konfliktit të vitit 2001, shkruan gazeta Koha. Ndërkaq organika e Qeverisë edhe e administratës publike nuk ka ndryshuar nga qeverisja VMRO-BDI. Kjo e fundit mjaftohet me vetëm tre ministri atë të Ekonomisë, Drejtësinë dhe Ministrinë e Ambientit Jetësor, ndërsa RDK udhëheq me Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Këto ministri, edhe për nga buxheti për vitin 2018 dukshëm kanë më pak para se sa ministritë që udhëheq LSDM, ndërsa njëjtë si në kohën e qeverisjes së VMRO-së, Ministrisë së Ekonomisë nuk i kthehen kompetencat që i ka marrë zëvendëskryeministri për Ekonomi dhe Financa në krye të së cilës është Koço Angjushev. LSDM vazhdon të udhëheq me ministritë më kryesore – atë për Punë të Jashtme, me Punët e Brendshme, Mbrojtjen, Shëndetësinë, Financat, Arsimin, Punën dhe Politikën Sociale, Transportin, Bujqësinë, si dhe me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike.

Në tre përbërjet e kaluara qeveritare, BDI ka udhëhequr me pesë ministri, ndër to edhe Arsimin gjatë përbërjes qeveritare 2014-2018 dhe 2002-2006, me Ministrinë e Shëndetësisë pas zgjedhjeve të 2008-ës, si dhe me Mbrojtjen pas zgjedhjeve të 2011-ës. Në secilën përbërje qeveritare gjatë zgjedhjeve të vitit 2002, 2008, 2011, 2014 dhe ato të fundit 2016 – BDI ka udhëhequr me Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Drejtësisë. E para lë shumë për të dëshiruar për investime kapitale që prekin interesin shqiptar, ndërsa e dyta po ashtu ka neglizhuar zbardhjen e shumë rasteve të montuara politike dhe vetëm tani në Qeveri me LSDM-në, rasti “Monstra” që u kthye në procedurë gjyqësore nga fillimi, ka shpresë se mund të zbardhet deri në fund. Siç shihet, LSDM ndonëse me vetëm 49 deputetë, ka më shumë ministri se sa VMRO që kishte 60 deputetë në zgjedhjet e vitit 2011 dhe 55 deputetë në zgjedhjet e vitit 2008.

Partitë shqiptare, e më shumë BDI – duket që janë të pafuqishme të realizojnë atë që kishin premtuar para zgjedhjeve të 2016-ës – që Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit të kalojë në Ministri për sistem politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve. Ky propozim doli nga Analiza profesionale që iu bë Marrëveshjes së Ohrit nga Instituti Evropian i Paqes dhe ekspertë nga OSBE dhe ekspertë tjerë të pavarur nga organizata joqeveritare. Shqiptarët nuk dinë se çfarë është të udhëheqësh me Entin Shtetëror të Statistikave, Entin Gjeologjik të Maqedonisë dhe me Arkivin Shtetëror të Maqedonisë – tri organe administrative shtetërore ndër më të rëndësishmet në vend.

Kuadro shqiptar nuk udhëheqin as me organet e pavarura shtetërore si Agjencia për Rini dhe Sport, Agjencia për Emigracion, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, si dhe Komisioni për bashkësitë fetare dhe grupet religjioze. Për momentin, është vakant edhe posti i ministrit pa resor që mbulon Investimet e huaja në vend që më parë udhëhoqi Ramiz Merko, tanimë kryetar i Komunës së Strugës.

Kur jemi tek buxheti, ministritë që udhëheqin kuadrot shqiptare kanë buxhet shumë të vogël se sa ato që udhëheqin kuadro maqedonas, si p.sh. Ministria e Ambientit Jetësor ka buxhet 651 milionë e 300 mijë denarë, Ministria e Ekonomisë me 645 milionë e 575 mijë denarë, Pushteti Lokal me 443 milionë e 594 mijë denarë, Ministria e Drejtësisë me vetëm 320 milionë e 896 mijë denar. Nga sekretariatet, ai për çështje evropiane në krye me Bujar Osmanin ka buxhetin më të vogël nga të gjithë resorët qeveritar – edhe atë vetëm 105 milionë e 459 mijë denarë, ndërsa Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka buxhet prej 641 milionë e 400 mijë denarëve.

Nga ana tjetër, ministritë që udhëheqin kuadro të LSDM-së arrijnë shifra qindfish më të larta se sa ato që udhëheqin kuadrot shqiptare, madje deri në 43 miliard e 602.533 milionë denar që janë paraparë për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Mbi 1 miliard denarë kanë edhe këto ministri: Ministria e Arsimit me 25 miliard e 179.444 milionë denar, Shëndetësia me 6 miliard e 674 milionë denarë, Ministria e Punëve të Brendshme me 10 miliardë e 241 milionë denarë, Ministria e Mbrojtjes 6 miliardë e 500 milionë denarë, Ministria për Transport dhe Lidhje me 6 miliard e 71 milionë denarë, Ministria e Financave me 2 miliard e 271 milionë denar, Ministria e Punëve të Jashtme me 1 miliard e 181 milionë denar, Ministria e Bujqësisë me 1 miliard e 172 milionë denar, Ministria e Informatikës dhe Administratës Publike me 1 miliard e 472 milionë denar. Vetëm Ministria e Kulturës me 353 milionë e 645 mijë denarë dhe Sekretariati për çështje ekonomike me 105 milionë e 450 mijë denarë, me të cilët udhëheq LSDM, janë në nivel të njëjtë me resorët qeveritar që udhëheqin shqiptarët.

Në përqindje sa i përket sferave shoqërore prin Sigurimi Social dhe Mbrojtja e Fëmijëve me 32 për qind, zhvillimi ekonomik dhe puna e financave me 19 për qind, shëndetësia 14 për qind, arsimi, shkenca dhe sporti 11 për qind, siguria dhe rendi publik 5 për qind, ndërtimtaria, transporti, komunikimet dhe ekologjia 5 për qind, bujqësia 5 për qind, mbrojtja 3 për qind, Punë të Jashtme dhe eurointegrime 2 për qind, kultura 2 për qind, gjyqësori 1 për qind, si dhe zhvillim rajonal 1 për qind. Diskriminimi nuk është vetëm tek ministritë, por edhe në organet tjera shtetërore dhe po aq i dukshëm është edhe në Universitetet publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat