Athinë, Osmani në takim me Koxijasin dhe Katrugalosin

Maqedonia

Athinë, Osmani në takim me Koxijasin dhe Katrugalosin

Më: 9 janar 2018 Në ora: 10:27
Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani

Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot do të qëndrojë për vizitë në Athinë. Është paraparë të takohet me shefin e diplomacisë greke Nikos Koxijas dhe ministrin alternativ të Punëve të Jashtme, Jorgos Katrugalos.

“Ministri i Punëve të Jashtme Nikos Koxijas, të martën më 9-të janar do t’i organizojë drekë pune zëvendëskryeministrit të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, përgjegjës për marrëdhëniet me BE-në, Bujar Osmani, me rastin e vizitës së tij. Bisedat do të përqendrohen në çështjet evropiane me interes të ndërsjellë. Osmani, gjithashtu do të takohet me ministrin alternativ të Punëve të Jashtme, Jorgos Katrugalos”, kumtojnë nga MPJ greke.

Vizitën e konfirmuan edhe nga Sekretariati për Çështje Evropiane pranë Qeverisë të Maqedonisë.

Osmani në prag të vizitës së sotme në Greqi në një intervistë për Agjencinë e Pavarur Ballkanike të Lajmeve – IBNA, deklaroi se në këtë drejtim është ndërtimi i besimit mes Shkupit dhe Athinës dhe se vetëm në atmosferë të tillë, tha është e mundur të bëhet përpjekje për gjetjen e zgjidhjes të pranueshme për të dyja palët rreth dallimeve për emrin.

Osmani, përsëriti se gjashtë muajt e ardhshëm paraqesin mundësi historike për Republikën e Maqedonisë që të bëjë hap serioz lidhur me perspektivat euroatlantike me ç’rast në plan vendor fokusi është vendosur në reformat në sferat prioritare.

Mediat greke vizitën e  Osmanit e komentojnë si pika e parë nga aktivitetet e parapara të janarit për çështjen me emrin. Në këtë, siç e quajnë “lëvizje” në relacionin Shkup – Athinë, i përmendin edhe vizitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në Maqedoni, raundin e ri të bisedimeve të Nimicit me negociuesit e të dy vendeve dhe takimin e mundshëm të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat